Problemet tek Ada vazhdojnë megjithatë ka vend edhe për optimizëm. Më shumë se tek kushdo tjetër atë e gjen tek trajneri Kreshnik Krepi. Në një prononcim për gazetën pasditen e djeshme ai do të shprehej: “Situata nuk ka qenë aspak e mirë. Problemet financiare vazhdojnë të jenë prezent tek Ada edhe në këtë fillim të këtij viti. Ajo që të bën përshtypje është se Komunës Velipojë as nuk i bie ndër mend nëse ka ekip futbolli apo jo prandaj do t’i bëja thirrje kryetarit të saj, z. Pashko Ujka, t’i hidhte sytë drejt këtij ekipi sepse Ada përfaqëson këtë zonë dhe këtë komunitet.
Nuk kërkojmë gjëra të mëdha. Një fushë ku të bëjmë stërvitje dhe ndonjë mbulim të udhëtimeve a diçka tjetër. Nëse ekziston dashamirësia e këtij kryetari, gjërat do ishin bërë shumë më të thjeshta sepse ekipi nuk mund të mbahet vetëm nga presidenti Pjetri që po sakrifikon jo pak për të prej shumë e shumë vitesh”. Velipojakët gjenden të fundit në renditje. Pa fushë të tyren dhe duke i luajtur ndeshjet larg tifozëve të vet. Sikur të mos mjaftonin këto probleme, kanë filluar edhe largimet teksa sulmuesi Jurgen Gjini është i pari që i ka dhënë lamtumirën atyre. Por trajneri Krepi gjithsesi ka besim se diçka do të ndodhë. “Kur themi se kemi probleme financiare kuptohet që nuk ka vend të diskutojmë për merkato megjithatë besoj se do ia dalim të ofrojmë disa lojtarë cilësorë gjatë janarit. Këto afrime më shumë do të bëhen nisur nga raportet e mira që una apo dhe presidenti Pjetri kemi me disa futbollistë të cilët do vijnë tek Ada me qëllim për ta shpëtuar atë dhe po për të marrë paratë. Nisur nga kjo, ju siguroj se skuadra nuk do të bjerë as sivjet nga kategoria”- ka shtuar trajneri Krepi. Skuadra pritet të nisë ditën e hënë stërvitjen dhe në seancën e parë nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe emra të rinj. Mbase edhe të rëndësishëm por kjo mbetet për t’u parë deri atë ditë. Gjysma e dytë e sezonit do të jetë shumë e vështirë dhe Ada patjetër që duhet të forcohet me lojtarë të tjerë në të gjitha repartet. Nga Veleçiku pritet të vijnë futbollistë e po ashtu edhe nga skuadra të tjera. Gjërat duken në rrugën e duhur dhe trajneri trajneri Krepi është optimist për ndryshimin e situatës.
Gjergj KOLA