Ka lënë një skuadër shumë të mirë dhe ka marrë një tjetër me shumë probleme. Megjithatë trajneri Kreshnik Krepi i ka vënë vetes detyrë që të nisë një sfidë të re. Atë të drejtimit të Adës, skuadrës së vendit të fundit në renditje. Për shumëkënd, kjo është një marrëzi megjithatë atij i pëlqejnë sfidat e vështira. Këtë e thotë edhe në prononcimin e tij për gazetën kur shpjegon edhe arsyet pse vendosi të marrë drejtimin e skuadrës velipojake.

“Në fakt, duket paksa e pakuptimtë që unë dhashë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës së Veleçikut të cilën e krijova vetë këtë verë duke zgjedhur lojtarë cilësorë, me mbështetjen edhe të kryebashkiakut Likaj, për të marrë pastaj skuadrën e Adës me shumë probleme. Ika nga Veleçiku për disa mosmarrëveshje me drejtues të këtij klubi ndërkohë që pranova të marr drejtimin e skuadrës velipojake sepse me të më lidhin shumë gjëra. Aty kam filluar karrierën e trajnerit dhe kam punuar për disa vite ndërkohë që arsye kryesor ka qenë padiskutim marrëdhënia ime shumë e mirë me presidentin Pjetri. Pikërisht, emri i Adës dhe marëdhënia me presidentin Pjetri, ishin arsyet që më çuan të ndërmarrë këtë guxim për ta shpëtuar këtë skuadër nga rënia prej kategorisë”- ka thënë ai. Interesant është fakti se ndeshjen e parë do ta ketë ditën e shtunë ndaj Veleçikut por më shumë sesa kjo, për trajnerin e ri të Adës, rëndësi ka shtyrja e ndeshjes nga ana e FSHF-së. “U mendua se kjo ndeshje do të luhej ditën e sotme por në fakt është shtyrë për të shtunën. Kjo ishte një e mirë jo e vogël sepse do më japë disa ditë kohë më shumë në dispozicion për të njohur këtë skuadër. Pjesën më të madhe të sportistëve e njoh sepse e kam stërvitur tek Veleçiku apo dhe më parë tek Ada megjithatë e rëndësishme është të krijojmë frymën e grupit. Nuk do të jetë aspak e lehtë për të shpëtuar por do besojmë deri në fund dhe mendoj se do ia dalim”- ka thënë trajneri Krepi në intervistën e tij për gazetën tonë.

Gjergj KOLA