Në vigjilje të duelit të nesërm ndaj Dinamos, në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi”, në konferencën për shtyp së bashku me trajnerin Thomas Brdariç, ishte dhe portieri i dytë i Vllaznisë, Kristi Qarri, i cili ka analizuar këtë takim:

“Forcat morale janë më të mëdha. Ndeshja e parë ishte delikate për mua sepse ishte takimi i parë që e nisja si titullar. Tani është pak më ndryshe, por përgjegjësia është e njejtë sepse kemi të njëjtin objektiv që duhet të marrim tre pikët.

Drejtuesit kanë besuar te unë, kam pasur edhe mbështetjen e trajnerit. Së shpejti besoj se do të fitoj edhe më shumë minuta. Kam pasur probleme me këmbën, kam ndenjur dy javë pushim edhe tani jam mirë.

Në pamje të parë është e lehtë, por Dinamo do të vijë me tjetër forcë sepse është duke rënë nga kategoria dhe ka objektiva të tjera. Ne e kemi përgatitur këtë ndeshje shumë mirë dhe besoj se do të marrim maksimumin.

Eni Imami është një lojtar shumë i mirë, ka bërë shumë mirë te Vllaznia. I uroj suksese, por jo nesër.”, përfundoi Kristi Qarri.