Sulmuesi kroat, Ante Zivkoviç, i ardhur te Kukësi në këtë merkato vere, nuk po e bind stafin teknik. Burime në klub tregojnë se janë të shqetësuar për faktin se 29-vjeçari, jo vetëm nuk ka shënuar asnjë gol në tri miqësoret e luajtura, por forma e tij nuk është në nivelin që stafi pret.
Shtatlarti kroat ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me klubin dhe nga ai pritet shumë këtë kampionat, prandaj shpresohet që në start me Tiranën të jetë sa më formë.
Nga ana tjetër, ka rënë përfundimisht pista e sulmuesit boshnjak, Jovo Lukiç, i cili nuk është lënë të transferohet te Kukësi nga klubi ku ka ende kontratë, Borac Banja Luka.
“Panorama Sport” zbulon se boshnjakët kanë kërkuar 150 mijë euro për shitjen e 23- vjeçarit, por gjithashtu edhe një përqindje të kartonit, diçka që ka qenë e papërballueshme për Kukësin. Kësisoj, drejtuesit janë duke parë tashmë alternativa të tjera për sulmin./PANORAMA-SPORT/