Ndeshja mes Vllaznisë dhe Partizanit ka sjellë edhe disa momente dhe vendime të gjyqtarit Kreshnik Cjapi shumë të diskutueshme, që kanë tensionuar jo pak kampin shkodran.

“Shkodra Sport” ka vendosur të sjellë disa raste për moviolë të kësaj përballjeje. Kështu, për ta nisur nga minuta e 19-të, kur Buxhelaj ndërhyn ashpër ndaj Malës, pa e pasur aspak vëmendjen te topi. Në këtë rast, gjyqtari Cjapi e kursen të verdhin, pasi në këtë moment duhej nxjerrë kartoni, ç’ka do të kishte bërë që në vazhdim mbrojtësi i majtë i Partizanit, të kishte luajtur më me frikë dhe më me shumë kujdes. Në pjesën e dytë, Buxhelaj u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 74-të.

Po në pjesën e dytë, në momentet kur rezultati ishte 1-1 dhe sfida ishte plotësisht e hapur, më konkretisht në minutën e 77-të, Hadroj bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Smajlit, i cili më pas u detyrua të largohej me barrelë nga fusha për shkak të problemeve nga përplasja.

Shkodranët kërkuan karton të kuq, por Cjapi tregoi vetëm karton të verdhë për mbrojtësin e Partizanit, Hadroj. VAR nuk ndërhyn dhe pavarësisht insistimit të vendasve për të shkuar që të shohë pamjen e aksionit në VAR, Cjapi i qëndroi besnik vendimit të tij në fushë dhe vazhdoi lojën.

Megjithatë, nga pamjet e “OverSport”, duket qartë që Hadroj duhet të ishte ndëshkuar me karton të kuq. Ndërhyrja ndaj Smajlit është qartësisht e paqëllimshme, por intensiteti i saj dhe fakti që rrezikon shëndetin e mbrojtësit të Vllaznisë, tregon se gjyqtari Kreshnik Cjapi në këtë rast ka gabuar.

Kështu, me pak fjalë në ndeshjen Vllaznia-Partizani, të fituar nga “demat e kuq” me rezultatin 1-2, mungon një karton i kuq për mbrojtësin e Partizanit, Hadroj. Nëse gjyqtari Cjapi nuk do të gabonte, ky karton do të ishte dhënë në momentet kur rezultati ishte 1-1 dhe sfida ishte plotësisht e hapur.
Maringlen ZHIVANI