Një nga ish-futbollistët e njohur të skuadrës së Adës së Velipojës ndër vite, padyshim që është Etrit Nika. Me një karrierë me kujtime të bukura, ai prej pak vitesh tashmë ka nisur punën me shumë pasion me fëmijët e Velipojës dhe në një të ardhme të shpejtë pretendon që Ada e të rriturve të mos ketë nevojë të marrë shumë futbollistë nga Shkodra, por të luajë me futbollistët e vet.

Gjithsesi, këto janë plane dhe për Nikën mbi të gjitha ka rëndësi që këto fëmijë të mësojnë të luajnë bukur futboll. Ndërkohë, përkrah Etritit, me përgatitjen e portierëve, merret edhe një tjetër futbollist i Adës, siç është Besnik Ndoj.

Për hir të së vërtetës, gjatë viteve të fundit, Akademia e Futbollit Ada është shndërruar në një strehë, ku stërviten me dhjetëra fëmijë të kategorive të moshave të ndryshme të zonës në fjalë. Realisht, Etrit Nika po bën një punë shumë të mirë dhe me siguri që, shumë shpejt do të shohim futbollistë të dalë prej duarve të tij, duke luajtur në nivele të larta.

Megjithatë, kush është Etrit Nika? Ai ka lindur në Velipojë në vitin 1981 dhe që në moshë të vogël zgjedh të luajë futboll, duke u angazhuar me ekipin e Adës në Kategorinë e Dytë, ku më pas për disa sezone shpallet edhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Dytë.

Në sezonin e tij të parë, me Adën e Velipojës në Kategorinë e Parë, ai realizon një synim të tij, teksa shpallet golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë me 16-gola. Në sezonin 2005-2006, Nika do të kalonte tek një skuadër tjetër, siç ishte Burreli. Aty do të dilte golashënuesi më i mirë i ekipit matjan, ku për aq kohë sa luajti aty ia doli me sukses.

Në sezonin 2008 dhe deri në fund të karrierës së tij, rikthehet për të luajtur tek Ada e Velipojës, aty ku për rrjedhojë në vitin 2020 do t’i thotë lamtumirë karrierës si futbollist. Ndërkohë, në vitin 2014, së bashku me portierin Besnik Ndoj, Nika krijon Akademinë e Futbollit Ada.

Pas lënies së futbollit, ai i përkushtohet më shumë kësaj detyre, teksa ai ndjehet mirë me atë që po bën në Velipojë me fëmijët e zonës aty.

Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, Etrit Nika, ka folur për masivitetin, por edhe cilësinë e prodhimit të talenteve në ekipet e grupmoshave të tyre. Ndër të tjera, Nika u shpreh se fokusi i tij është të nxjerrë sa më shumë elementë për ekipin e parë, ndërsa theksoi se ndoshta një ditë, mund ta drejtojë edhe ai Adën e Velipojës, pse jo.

“Në vitin 2014, së bashku me kolegun Besnik Ndoj, kemi krijuar Akademinë Ada nga U-9 deri tek U-17. Realisht, që në vitin e parë kemi dalë kampion me U-17 në Ligën Amatore në Shkodër. Në sezonet 2017-2018 dhe 2018-2019, kemi dalë kampion me moshën U-9 dhe pothuajse në të gjitha sezonet tjera, kemi dalë nënkampion me U-11 dhe U-13.

Në ekipin e parë të Adës, unë jam në rolin e ndihmësit të të gjithë trajnerëve që drejtojnë ekipin. Me shumë, unë punoj me ekipet e Akademisë, ku fokusi jonë është të nxjerrim sa më shumë elementë për ekipin e parë. Këtë vit, ne kemi kaluar në ekipin e parë pesë futbollistë.

Synimet si trajner? Për momentin, jam i përqëndruar tek Akademia Ada. Nëse mund të kemi ndonjë ofertë, pse jo edhe ta marrim në konsideratë.

Në krye të Adës një ditë? Unë e kam drejtuar ekipin e Adës në disa periudha dhe do ta pranoj me shumë kënaqësi nëse më ofrohet. Megjithatë, synimi është që nga Akademia jonë të përgatisim sa më shumë futbollistë për ekipin e parë, ku brenda dy viteve Ada do ketë 70% të ekipit me futbollistët e saj dhe pjesa tjetër të plotësohet me ekipet nga Shkodra, ku siç dihet është djepi i futbollit”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, drejtori i Akademisë Ada, Etrit Nika.
Maringlen ZHIVANI