Televizioni spanjoll “Movistar”, që transmetoi gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës mes Barcelonës dhe Betisit, ka nxjerrë një detaj nga takimi, ku trajneri Ksavi shfaqet duke motivuar skuadrën e tij.

Trajneri i Barcelonës nuk ka përdorur fjalë të tërthorta, ai ka qenë i drejtpërdrejtë me skuadrën, teksa ua ka bërë të qartë se e dëshironte me çdo kusht një vend në finalen e madhe. Në fund Barça u kualifikua falë lotarisë së 11-metërshave, me portierin Ter Shtegen që u bë hero me 2 penallti të pritura ndaj lojtarëve të Betisit.

“Duhet të jemi bashkë. Për atë Zot. Ju kam dhje.. me një m..t. Në lojë është një finale, në lojë është një trofe”, shihet t’u thotë Ksavi lojtarëve të tij në një moment pushimi gjatë ndeshjes mes Betisit dhe Barcelonës.

Ndërkaq, trajneri i Barcelonës ka folur edhe pas takimit të fituar me penallti kundër Betisit, duke nënvizuar se skuadra e tij e ka kënaqur vetëm në pjesën e parë.

“Nëse duam t’ia nisim nga e para mendoj se pjesa e parë ishte ajo e duhura. Kemi luajtur mjaft mirë. Natyrisht që edhe Betisi ka pasur rastet e veta, por në këtë pjesë skuadra më ka pëlqyer shumë. Në pjesën e dytë nuk kemi qenë vetvetja, nuk kemi luajtur mirë dhe Betisi na ka dominuar. Nuk më ka pëlqyer aspak ajo çfarë kam parë në pjesën e dytë të takimit”, ka nënvizuar trajneri i Barcelonës.

Gjatë konferencës së vet, Ksavi ka folur dhe për finalen ku Barça e tij do të përballet me Realin. Ai ka përmendur faktin se i pëlqen të përballet me më të mirët.

“Objektivi ynë i parë ishte të arrinim në finale. Jemi të kënaqur që ia kemi arritur, pavarësisht disa rezervave që kam për lojën. Tani të shkojmë në finale dhe të bëjmë të pamundurën për ta fituar. Jemi të kënaqur që do të gjejmë në finale Realin e Madridit. Gjithnjë më ka pëlqyer të përballem me më të mirët dhe të fitoj ndaj tyre. Reali natyrisht që bën pjesë në këtë grup. Cilido qoftë përfundimi i finales, nuk është se do të ndryshojë gjë për sezonin tonë, por tani që jemi këtu dua ta fitojmë”, tha Ksavi.