Kukësi synon të ruajë ecurinë pozitive në kampionat pas dy fitoreve radhazi, me shpresën për t’iu larguar sa më parë fundit të klasifikimit. Përballë ditën e nesërme do të kenë Vllazninë që ka hyrë me pretendime, ndaj për të besuarit e Rrahman Hallaçit mund të konsiderohet si një provë e vërtetë force, nga e cila do të përpiqen që të paktën të mos dalin pa pikë.
I vetmi shqetësim për teknikun e bluve për këtë sfidë është mungesa e sulmuesit kryesor, Gabriel Barbosa, i cili duhet të pushojë për arsye kartonësh. Gjithsesi, me tri lëvizje mund të thuhet se Hallaçi ia doli të rifusë në shina verilindorët dhe mbetet për t’u parë ecuria në vijim: Harmonia e grupit, afrimet e dimrit dhe gjaku “blu”.
HARMONIA E GRUPIT – Në skuadër mbizotëron optimizmi, edhe pas avancimit në Kupë, ku kanë shkuar mes tetë më të mirave në këtë kompeticion.Një nga faktorët kyç që Kukësi ka bërë një kthesë në rezultate lidhet me harmoninë që Hallaçi ka arritur të krijojë në ekip.
Duket sikur skuadra tanimë luan më lirshëm dhe të gjithë japin maksimumin në fushën e lojës për të mirën e klubit. Gjatë kësaj periudhe, tekniku është marrë shumë edhe me anën morale, duke e mbajtur atë lart, njëkohësisht duke qëndruar me këmbë në tokë dhe synuar fillimisht vetëm largimin nga zona e ftohtë.
AFRIMET – Jo rastësisht dy fitoret e fundit të skuadrës kanë ardhur nga golat e lojtarëve të afruar në merkaton e dimrit, duke realizuar që në debutim.
Delimedjac i dha tri pikët ndaj Egnatias dhe Ovusu ndaj Tiranës, duke u përshtatur menjëherë me skuadrën. Në përballjen e radhës ndaj Vllaznisë, pritet debutimi i lojtarëve të tjerë të afruar këtë merkato, nga të cilët pritet vërtetë shumë për pjesën e mbetur të sezonit.
Zakonisht Kukësi ka dështuar në merkato, por gjasat janë që tani të kenë goditur në shenjë, të paktën duke parë rezultatet e dy javëve të para me ta në fushë.
GJAKU “BLU” – Kukësi është etiketuar shpesh si një skuadër “mercenare”, duke nisur nga trajnerët dhe deri te lojtarët.Tani, duket se situata ka ndryshuar dhe në ekip nuk mungojnë ata me gjakun “blu”. Duke nisur nga trajneri Hallaçi, një puro kuksian, me zëvendësin e tij Shameti, i cili prej shumë vitesh luajti në Kukës.
Nuk mungojnë as lojtarët që në ekipin e parë kanë ardhur nga grupmoshat dhe që po u jepet mundësia të luajnë me skuadrën, siç është rasti i Sulës apo Muratit që iu rezervuan disa minuta ndaj Tiranës apo edhe Domit që u aktivizua ndaj Egnatias.
Më herët, këtyre të rinjve që dilnin nga akademia nuk u jepeshin minuta, ndërsa me Hallaçin, duket se ka një ndryshim strategjie edhe në këtë aspekt.