Klubi i Kukësit ka nisur punën për të pasuruar organikën e lojtarëve, teksa skuadra do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Europës.

Verilindorët nuk kanë humbur kohë në merkato, ndërsa kanë përforcuar skuadrën me portierin Ilir Avdyli, futbollistin e Flamurtarit Emiliano Mustën dhe së fundmi, ditën e djeshme prezantuan edhe sulmuesin e talentuar të transferuar nga Dinamo, Mark Van Basten Çema. Megjithatë, nënkampionët e Shqipërisë, janë vënë në kërkim të një tjetër sulmuesi.

VipSport ka mësuar se objektivi i klubit të Kukësit është sulmuesi i Partizanit, Eraldo Çinari. Shkodrani nuk pati shumë hapësira gjatë sezonit me të kuqtë, megjithatë kur iu dha mundësia tregoi vlerat e tij duke realizuar gola të rëndësishëm, si dopieta në derbi ndaj Tiranës.

Në këtë mënyrë, Kukësi dita ditës po kompletohet dhe trajneri Ernest Gjoka do të ketë mundësinë e alternativave në grupin e futbollistëve./VipSport/