Kukësi dhe Teuta nuk do të mjaftohen me ndeshjen e 2 korrikut, që është e para për turin gjysmëfinal, por më 12 korrik do të kenë llogari të hapura edhe për javën e 33-të të kampionatit. Kukësi është ende në luftë për titull, ndërsa durrsakët duan me patjetër Europën përmes kampionatit.

Vetëm tri ditë pas ndeshjes së kampionatit, Teuta e pret Kukësin sërish, këtë herë në kuadër të ndeshjes së kthimit për Kupën më 15 korrik në “Niko Dovana”. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me çiftin Bylisi-Tirana.

Sikur të mos mjaftojnë dy përballjet në Kupë më 2 dhe 15 korrik, ballshiotët dhe bardheblutë do të jenë sërish kundërshtarë në javën e 36-të në kryeqytet. Tirana mund ta ketë si festë titulli këtë takim, por çdo gjë mbetet për t’u parë.

Me Tiranën dhe Kukësin që kanë siguruar praktikisht pjesëmarrjen në lojë dhe shanset që kanë për të fituar edhe Kupën e Shqipërisë, bënë që të hapet vendi i katërt për një biletë në Ligën e Europës.

Në bazë të rregullores së FSHF-së për Kupat e Europës, nëse klubi që fiton njëkohësisht titullin dhe Kupën, ose e mbyll në vendet dy dhe tre të klasifikimit përfundimtar, atëherë skuadra që fiton të drejtën e pjesëmarrjes në Europë është ajo që renditet në vendin e katërt.