Nesër në orën 14.00 në Gjirokastër, do të luhet ndeshja e fundit e javës së 21-të të Superligës, ajo në mes Luftëtarit dhe Vllaznisë.

Një sfidë shumë interesante në mes dy ekipeve që ndajnë aktualisht vendet 7-8 në renditje.

Për këtë arsye, patjetër që ndaj Luftëtarit pikësynimi është për të mos dalë pa pikë. Stafi teknik i ekipit shkodran nuk do të ketë të gatshëm për këtë ndeshje tre futbollistë e pikërisht mbrojtësit Pjeshka e Marku si dhe mesfushorin Bardulla.

Të tre ata janë të dëmtuar dhe e kanë të pamundur të luajnë për këtë takim. Kjo gjë ka bërë që alternativat për formacionin e parë të zvogëlohen për trajnerin Gjoka megjithatë ky nuk është justifikim.

Vllaznia është e detyruar të luftojë për të marrë pikë në Gjirokastër. Vetë trajneri por edhe lojtarët e kanë shprehur këtë gjë në prononcimet e tyre dhe tashmë mbetet të shohim si do të reagojnë në fushën e lojës.

Në fund të fundit, lojtarët kuqeblu kanë një motiv më shumë për të treguar vlerat e tyre në këtë ndeshje. Atë të marrjes së një fitoreje e cila duhet t’i dedikohet trajnerit të tyre.
© shkodrasport.com