Ky sezon i Vllaznisë në kampionat mund të quhet një dështim, teksa nëse i sheh ecurinë që nga fillimi i sezonit dhe deri më tani, duhet të pranojmë se ka pasur një rënie graduale, duke qenë jo brenda pritshmërive të klubit, ekipit dhe tifozëve.

Në verën e shkuar, u larguan disa nga lojtarët më të rëndësishëm të kuqebluve në sezonin e fundit. Klubi punoi për t’i zëvendësuar, por nga ajo që kemi parë deri më tani, mund të themi se një pjesë e madhe e afrimeve nuk dhanë atë që pritej prej tyre.

Thomas Brdariç, i cili ishte në krye të atij ekipi, u përball me detyrën e vështirë të drejtimit të një ekipi, me disa lojtarë të ri, që nuk e njihnin fort mirë njëri-tjetrin. Gjithsesi, duhet të jemi koshientë se edhe vetë Brdariç priste më shumë nga lojtarët, një pjesë të të cilëve i kishte zgjedhur vetë.

Nëse u bëjmë një krahasim rezultateve të tij dhe asaj që Plori po bën tani, dallohet qartë se ka një rënie graduale të skuadrës.

Në 25 ndeshje nën drejtimin e Brdariç gjatë këtij sezoni në Abissnet Superiore, Vllaznia numëronte 39 pikë dhe renditej e katërta. Me ardhjen e Plorit, Vllaznia pësoi njëfarë rënieje.

Në pesë ndeshjet e para të Plorit, kuqeblutë kanë grumbulluar vetëm tre pikë, teksa janë parakaluar edhe nga Partizani, rival direkt në renditje. “Demat” i kanë rikuperuar 8 pikë Vllaznisë, duke përfituar edhe nga hapat falsë të tyre.

Në fund të të gjitha këtyre bilanceve, mund të themi se Vllaznia ka njohur njëfarë rënieje nën drejtimin e Plorit. Deri më tani, Plori e ka mbrojtur veten, duke thënë se ekipi ka shumë probleme, por mbetet të shihet se si do të jenë ndeshjet e ardhshme nën drejtimin e tij.
Maringlen ZHIVANI