Duhej të ishte testi i vërtetë i provës në prag të ndeshjes së kampionatit me Lushnjën, por miqësorja e sotme me Deçiç nuk ka rezultuar e tillë për stafin teknik të Vllaznisë. Ai nuk ka patur sot në dispozicion plot gjashtë futbollistë titullarë. Duke nisur nga mbrojtësi Gocaj i cili ka disa ditë që është me temperaturë dhe nuk udhëtoi fare me ekipin për këtë takim. Për të vazhduar me Hasanin, Atsinën dhe Çinarin që kanë ndjerë shqetësime të ndryshme muskulare dhe jo vetëm e për këtë, nuk është rrezikuar me to duke i lënë pa luajtur ndonëse kanë qenë pranë skuadrës në Tuz.
Po ashtu ka munguar edhe mesfushori Krymi që ndodhet me kombëtaren Shpresa. E papritur ka qenë mungesa e Orelesit. Lojtari afrikan ka udhëtuar me ekipin deri në pikën doganore të Hanit të Hotit dhe aty është konstatuar nga doganierët se viza e tij hyrëse në Mal të Zi i kishte përfunduar një ditë më parë, çka vetë lojtari se kishte vënë re. Për këtë arsye, ai nuk është lejuar të kalojë dhe është kthyer për në Shkodër. Pa këto gjashtë futbollistë Vllaznia është munduar të japë më të mirën dhe në momente të veçanta ka marrë edhe duartrokitje nga të pranishmit por kjo nuk mjafton sepse skuadra sërish gabon si në lojën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese. Për këto arsye, takimi i sotëm nuk i ka shërbyer shumë kuqebluve nisur nga problematikat që iu krijuan atyre me mungesat e gjysmës së skuadrës.
© shkodrasport.com