Laçi erdhi në Tiranë dhe arriti të merrte një barazim ndaj Partizanit, në një ndeshje të cilën mund edhe ta kishte fituar nëse do të tregohej më e kujdesshme, por gjithçka e ka një faturë. Në listën e dëmeve pas kësaj ndeshje kurbinasve iu shtua kartoni i verdhë i Regi Lushkjes, një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Me këtë karton të marrë, fantazisti ka plotësuar numrin e katër ndëshkimeve me karton të verdhe do duhet të mungojë në ndeshjen e ardhshme, që nuk është aspak një sfidë e zakonshme. Kurbinasit pas katër ditësh do të kenë përballë Vllazninë, në një ndeshje shumë delikate, që pritet të tregojë shumë mbi forcën e Laçit në këtë sezon.

Gjithsesi, në “Loro Boriçi” trajneri Mirel Josa do të duhet të bëjë pa kapitenin dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të kurbinasve. Bardhezinjtë aktualisht renditen në vendin e pestë me 12 pikë të grumbulluara, pas 9 javësh.

Pas një nisje të dobët të sezonit nën drejtimin e malazezit Vukiçeviç, Laçi është ringjallur pas ardhjes së Josës dhe ka mundur të fitojë tre ndeshje dhe të barazojë dy prej tyre, duke mos e provuar ende shijen e hidhur të humbjes. Gjithsesi, testi i vërtetë do jenë tre ndeshjet e ardhshme ndaj Vllaznisë, Dinamos dhe Kukësit.