Skuadra e Laçit ditën e djeshme ka arritur të mundë Kukësit me rezultatin 2-0 dhe të marrë një fitore shumë të rëndësishme për vetë ata, por edhe për Tiranën. Diferenca e pikëve mes Kukësit dhe kryeqytetasve shkon sërish 9 pikë, çka do të thotë se bëhet thuajse e pamundur që skuadra e Shehit të arrijë bardheblutë për tu shpallur kampion.

Ky fakt ka çuar në aludime të shumta rreth një premio të dhënë nga Tirana për Laçin, me qëllim që lojtarët e Cungut të jenë më të motivuar. Këto thashetheme kanë ngjallur regimin e Laçit. Klubi kurbinas ka dalë me deklaratë në rrjetet sociale ku shkruan se nuk ka marrë asnjë para për këtë ndeshje dhe rendit motivet pse ata donin ta fitonin atë përballje.

POSTIMI I KF LAÇIT:

“Reagim i detyruar, mbi lajmet që qarkullojnë për një premio dhënë Klub Futboll Laçit, me qëllim ndalimin e Kukësit. Në ndeshjen e djeshme janë shumë më të shumta arsyet pse Laçi duhet të fitonte.

Së pari për të lartësuar emrin e qytetit që përfaqësojmë, së dyti për tifozët tanë, së treti për investimet e bëra dhe realizimin e objektivit sezonal. Sigurisht, trajneri dhe stafi i tij, ashtu sikurse edhe futbollistët, kanë egon e tyre dhe duan të fitojnë në çdo ndeshje. Mjafton t’i hedhësh një vështrim tabelës së renditjes dhe kushdo e kupton se Laçi nuk kishte nevojë për asnjë arsye të jashtme për ta mundur Kukësin.

Ekipi ynë dha maksimumin dhe bëri atë që ka për detyrë çdo ndeshje. Asnjë qindarkë nuk ka ardhur në drejtim të klubit tonë, sikurse pretendohet. Ndaj, në respekt të garës, të kampionatit, të djersës së lojtarëve dhe stafit, si dhe të punës së bërë nga çdo faktor në KF Laçi, mediat dhe kushdo do të ishte mirë të mos aludonte me lajme të tilla“, shkruhet në postimin e Laçit. /vipsport/