Shkruar nga Gjergj KOLA
Lajme të mira për mbrojtësin shkodran Elton Fikaj. Pasi kishte debutuar me ekipin e tij të ri Piast muajin e kaluar në ndeshjen ndaj ekipit Motor ku luajti vetëm 11 minuta, tashmë vjen edhe ndeshja e tij e parë si titullar në elitën e futbollit polak.
20 vjeçari i lindur dhe i rritur në Athinë, dy ditë më parë luajti plot 80 minuta në fushë në ndeshjen e luajtur në shtëpi ndaj ekipit Radomiak dhe ka kontribuar në fitoren 3-1 të skuadrës së tij. Padyshim që ky është një lajm i mirë i cili vjen para grumbullimit të Fikajt me kombëtaren U21 për miqësoren ndaj Uzbekistanit.
Lojtari i formuar tek Panathinaikos kaloi në fund të merkatos së janarit tek skuadra e elitës polake Piast Gliwice me të cilën firmosi për dy vite e gjysëm. Kuptohet që atij i është dashur pak kohë të ambientohet me skuadrën e re, por duket se gradualisht po shndërrohet në protagonist për të.
Aktivizimi si titullar në ndeshje e para dy ditëve është trreguesi më i mirë për këtë dhe me siguri që do të vazhdojë të luajë rregullisht në pozicionin e tij të preferuar, atë të mbrojtësit të majtë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


