Që prej së martës ka shumë dilema rreth tij, por nga sot ato pritet të marrin fund. Trajneri Thomas Brdariç do të rikthehet nga Gjermania dhe do të ulet menjëherë me sponsorin Xhaferi dhe drejtuesit e tjerë të Vllaznisë për të mbyllur marrëveshjen.

Kjo duhej të ishte bërë që prej gjashtë ditësh, por teknikut gjerman i është dashur të udhëtojë drejt vendlindjes së tij dhe kjo e ka shtyrë firmën.

Nga ana tjetër, largimi nga Shkodra apo dhe lajmet se Kukësi apo ndonjë skuadër tjetër vazhdojnë të insistojnë për ta patur në pankinat e tyre, krijonte dyshime nëse premtimi i dhënë Vllaznisë do të mbahej apo jo.

Sot do të marrë fund gjithçka mesa duket. Fakti që edhe blerja e djeshme, ajo e malazezit Darko Bulatoviç është bërë me pëlqimin e Brdariç, tregon më së miri se ky i fundit do të jetë trajneri i Vllaznisë edhe në sezonin e ri.

Gjithsesi tifozët kuqeblu nuk duan ta besojnë këtë gjë pa u bërë zyrtare firmosja e kontratës, gjë e cila mund të ndodhë pasditen e sotme, ose më së shumti nesër paradite./SHKODRA-SPORT.COM/