Rrogozhinasit nuk kanë qëndruar duarkryq gjatë ditëve të para të merkatos verore. Që nga porta e deri në sulm, me radhë ka pasur zhvillime ku më së shumti janë konfirmuar titullarë me nivel. Gashi, Puja, Krasniqi, Shtubina janë disa emra që do të qëndrojnë edhe një sezon me Egnatian në Superiore. Prapavijës i shtohet edhe një lojtar me vlera si Franc Ymeraliaj që ishte afrimi i fundit zyrtar i merkatos.

Nga Bylisi do të vijë edhe Entoni Beji që do të bashkohet në sulm me Maganin dhe Xheksonin. Kështu, Egnatia pas rinovimeve e përforcimit me Ymeraliajn, nuk do të ndalet me kaq në javën e re që mund të sjellë të reja. Interesimi i klubit për merkaton me vlera është shtrirë, veç skuadrave të Superiores sonë, edhe në Kosovë e më gjerë.

Disa menaxherë kanë theksuar se nga tregu i huaj është projektuar të vijë një ganez si dhe një lojtar që ka qenë pjesë e kampionatit gjerman në kategorinë e dytë. Të dy të lartpërmendurit luajnë në mesfushë e sulm dhe do të plotësojnë boshllëqet e krijuara në reparte. Të shumtë janë emrat që janë piketuar, por në klub nuk duan të nxitohen t’i zbulojnë deri pas arritjes së dakordësisë zyrtare.

LARGIMET – Ditët e fundit dy nga titullarët që luajtën me fanellën rrogozhinase, si mbrojtësi Marcos Matheus e Orian Xhemalaj, shpallën divorcin e quhen të larguar nga rrogozhinasit. Braziliani nuk kishte shumë minuta dhe ishte jokonkurrues në krahët e mbrojtjes. Palët ndanë rrugët, ndërsa braziliani duhet ta shohë diku tjetër vijueshmërinë e karrierës.

Edhe Xhemalaj që në pjesën më të madhe ishte pikënisje e reparteve mesfushë-sulm pas mosgjetjes se dakordësisë ka dalë i lirë në treg. Durrsaku arriti të jepte kontribut me gola e në rolin e tij ishte i padiskutueshëm në çdo javë, pavarësisht se ku luhej. Vetë klubi pas takimeve që kishte me të dy lojtarët u parashtroi kushtet e kontratës së re. Ata nuk pranuan dhe u zyrtarizuan largimet e para.