Vllaznia do të luajë ditën e nesërme në orën 13:00 në Kamëz ndaj Kastriotit ndeshjen e parafundit të këtij viti, ku padyshim që do të kërkojë fitoren, për të vijuar pastaj deri në fund drejt synimeve të saj.

Kuqeblutë kanë zhvilluar paraditën e sotme seancën e fundit stërvitore dhe më pas kanë lënë Shkodrën për t’u grumbulluar në pragndeshje. Ndërkohë, tashmë trajneri Mirel Josa duket se e ka ndarë mendjen për formacionin që do të hedhë në fushë në këtë takim.

Kështu, në portë do të jetë i zakonshmi Zogoviç. Ndërkohë që, mbrojtja do të jetë e njëjtë me dy ndeshjet e fundit. Në këtë repart, Kruja do të luajë nga e djathta sërish, së bashku me kapitenin Gurishta dhe Shehin në qendër, ndërsa në të majtë do të jetë Hakaj.

Ndërkohë, as në treshen e mesfushës nuk do të ketë asnjë ndryshim, teksa përveç Boshnjakut dhe Jonuzit, trajneri Josa i ka besuar sërish të riut Alivoda, për të qenë si titullar në fushë nga minuta e parë. Realisht, mesfushori 19-vjeçar është tashmë padyshim një futbollist i fituar dhe i konfirmuar në formacionin e Vllaznisë nga ndeshja në ndeshje.

Krahët e sulmit nuk do të ndryshojnë, me Malën nga e djathta dhe Markun nga e majta, teksa i vetmi ndryshim do të jetë Aralica në majë të sulmit, ndryshe nga ndeshja e fundit që nga minuta e parë në atë pozicion e nisi Ardit Hoxhaj. Me këtë 11-she, Vllaznia do të synojë të marrë fitoren ndaj Kastriotit dhe më pas, pse jo me sytë edhe nga ndeshja e Tiranës apo e ndonjë kundërshtari tjetër në renditjen e kampionatit. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Vllaznisë (4-3-3): Zogoviç, Kruja, Gurishta, Shehi, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Alivoda, Mala, Aralica, Marku Tr: Mirel Josa