Vllaznia do të luajë ditën e sotme në orën 15:45 në “Loro Boriçi” ndaj Teutës ndeshjen e fundit të këtij viti, ku padyshim që do të kërkojë fitoren, për të vijuar pastaj deri në fund drejt synimeve të saj.

Kuqeblutë kanë zhvilluar paraditën e djeshme seancën e fundit stërvitore dhe më pas janë grumbulluar në pragndeshje. Ndërkohë, tashmë trajneri Mirel Josa duket se e ka ndarë mendjen për formacionin që do të hedhë në fushë në këtë takim.

Kështu, në portë do të jetë i zakonshmi Zogoviç. Ndërkohë që, mbrojtja do të jetë me disa ndryshime nga ndeshjet e fundit. Një gjë e tillë vjen edhe pas rikuperimit të mbrojtësit Marko Juriç. Në këtë repart, Smajli do të luajë nga e djathta, së bashku me kapitenin Gurishta dhe Juriç të rikthyer tashmë në qendër, ndërsa në të majtë do të jetë Hakaj.

Ndërkohë, në treshen e mesfushës nuk do të ketë ndryshime, teksa përveç Boshnjakut dhe Jonuzit, trajneri Josa i ka besuar sërish të riut Alivoda, për të qenë si titullar në fushë nga minuta e parë. Realisht, mesfushori 19-vjeçar është tashmë padyshim një futbollist i fituar dhe i konfirmuar në formacionin e Vllaznisë nga ndeshja në ndeshje.

Krahët e sulmit do të ndryshojnë, teksa Marku do të ulet në stol. Kështu, Mala do të jetë nga e djathta dhe Hoxhaj nga e majta, teksa ndryshimi tjetër do të jetë edhe Kaina në majë të sulmit, ndryshe nga ndeshja e fundit ndaj Kastriotit që nga minuta e parë në atë pozicion e nisi Aralica. Me këtë 11-she, Vllaznia do të synojë të marrë fitoren ndaj Teutës. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Vllaznisë (4-3-3): Zogoviç, Smajli, Gurishta, Juriç, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Alivoda, Mala, Kaina, Hoxhaj Tr: Mirel Josa