Kirian Nuabueze ishte lojtari më i spikatur në kampionatin shqiptar në këto 17 javë të para.

Sulmuesi i Laçit e tregoi veten ndeshje pas ndeshje, ndërsa e ka mbyllur vitin si golashënuesi më i mirë i Superiores me 12 gola të realizuar, duke i dhënë një ndihmë të madhe kurbinasve në ecurinë e tyre.

Megjithatë, amerikani mund të mos jetë pjesë e Laçit në rifillimin e kampionatit. Kjo sepse për sulmuesin ka shumë kërkesa dhe merkato duket se do e largojë nga Shqipëria.

“Kiri” siç e quajnë në Laç, pritet të mbajë një takim me drejtues së klubit të Altai Spor. Klubi i Altai Spor aktualisht është pjesë e Kategorisë së Dytë dhe deri në këtë pikë të kampionatit renditet në vendin e nëntë me 23 pikë.

Por, nëse negociatat me Nuabueze përfundojnë pozitivisht, atëherë mundësitë për përmirësim do të jenë të shumta, ndërsa sulmuesi duhet ta udhëheqë ekipin drejt elitës. Ndërkaq, nga ana tjetër Laçi do të humbiste një sulmues që në Superiore diti të bënte diferencën.  /VipSport/