Elton Kale do të vijojë karrierën te Gjilani, pas dy sezonesh me Tiranën, ku arriti të fitonte edhe titullin kampion.

Mediat kosovare raportojnë se braziliani ka arritur marrëveshjen me skuadrën e drejtuar nga Ismet Munishi, teksa “pikat mbi I” duket se i ka vendosur klubi nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, duke lënë të kuptohet se Kale do të prezantohet së shpejti në radhët e “Skifterave”.

Kale ka qenë një ndër futbollistët më të spikatur në Superiore, teksa do të kërkojë të lerë gjurmë edhe në futbollin kosovar.

32-vjeçari brazilian, për sa i përket ekipeve shqiptare në të kaluarën ka veshur fanellën e Kukësit, Flamurtarit dhe Tiranës, ndërkohë që ka pasur eksperienca pozitive dhe në Brazil, Portugali, Rusi dhe Greqi. Në ditët në vijim pritet të vijë edhe prezantimi i Kalesë me fanellën e Gjilanit.