Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, këtë javë do të organizohet edicioni i 18-të me rradhë i turneut ndërkombëtar të boksit “Vllaznia Boks”. Ky turne tradicional që organizohet nga Bashkia e Shkodrës, bën bashkë disa shtete në Shkodër.

Trajneri i boksit Lazarin Vila, për emisionin “Sport Arena” të TV Rozafa, zbuloi më shumë detaje rreth këtij turneu, që sipas tij, do të ofrojë duele dhe boks mjaft cilësor.

“Ky është edicioni i 18-të i “Vllaznia Boks”. Faktikisht, ky është edicion, i cili është në varësi të Bashkisë. Bëhet për të kujtuar ish-boksierët e ekipit të Vllaznisë ndër vite.

Deri para disa viteve, ka qenë aktivitet, i cili është bërë brenda territorit shqiptar, pra me ekipet shqiptare. Ka disa vite që është futur edhe në kalendarin europian, siç vazhdon të jetë edhe tani.

Në këtë aktivitet, para disa viteve kanë ardhur edhe kampionë botet, kampionë olimpikë. Italia para disa vitesh, në 2014, ka ardhur me ekipin e parë të Kombëtares, pra ka pasur edhe kampionë olimpikë.

Poashtu, ekipe ruse, ekipe ukrainase. Kazakistani ka pasur shumë ekipe në atë periudhë. Ndoshta, edhe fakti që sponsorizimi prej Bashkisë, ka qenë më i madh, ndërsa tani në këtë rast, nuk është.

Pjesëmarrja është e vogël. Pothuajse, bëhen rreth 40 sportistë, përfshirë edhe Kombëtaren e Shqipërisë.

Pra, do të ketë ditën e parë dikund tek 11 ndeshje dhe ditën e dytë dikund te 13 ose 14 ndeshje. Pra, ka ndeshje, do të ketë edhe cilësi, por fondi, i cili është i akorduar për këtë aktivitet, të lë për të dëshiruar.

Realisht, është i vetmi aktivitet që zhvillohet për 18 vite me rradhë, sidomos tani që është në kalendarin europian, është shumë e vështirë për të mos u zhvilluar. Të them të drejtën, ka mund për të zhvilluar këtë aktivitet. Patjetër që është e rëndësishme që bëhet dhe që nderohen figurat”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i boksit, Lazarin Vila.
Maringlen ZHIVANI