Në Shqipëri po bëhet disa kohë që po funksionon edhe futbolli i femrave dhe madje është krijuar tashmë siç dihet edhe një skuadër e Kombëtares së femrave, që drejtohet nga dyshja e ish-portierëve të Vllaznisë, Armir Grima dhe Elis Legata.

Legata, i ftuar në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, shprehet se Kombëtarja e Shqipërisë në futbollin e femrave, do të tentojë të marrë maksimumin në dy ndeshjet e rradhës që ata kanë, teksa presin Belgjikën dhe luajnë me Armeninë në transfertë.

“Ne grumbullohemi me Kombëtaren e femrave në fund të javës. Kemi dy ndeshje. Një ndeshje shumë të vështirë me Belgjikën, të cilën e luajmë në Shqipëri. Atëherë, udhëtojmë drejt Armenisë, ku kemi ndeshjen e rradhës. Besojmë që në Armeni të marrim diçka pozitive dhe të hyjmë në histori të futbollit të femrave në Shqipëri, që të arrijmë edhe kuotën e pikëve. Ky është objektivi i ekipit kombëtar të femrave.

E kemi thënë edhe më përpara, unë e kam shprehur shpesh herë në studio sportive, ku FSHF ka stimuluar futbollin e femrave. Po i jep pak imazh. Po rreklamohet futbolli i femrave dhe po zhvillohet. Normalisht, edhe me hapjen e skuadrave të vogla, kampionatit U16 dhe kampionatit U13, normalisht që edhe futbolli i femrave do të ketë më shumë zhvillim.

Do ketë edhe më tepër rezultate pozitive, ç’ka e vumë re edhe te kampionati i ri që është hapur sivjet tek U16 dhe e vumë re edhe te rezultatet pozitive, ku arriti Kombëtarja e Shqipërisë U17.

Normalisht, edhe Kombëtarja U19 ka një grumbullim, ku ka edhe ajo një turne në Turqi. Besoj se edhe ata do të bëjnë një paraqitje të mirë, gjithsesi ia lëmë kohës për ta parë”,-mbylli prononcimin e tij, zv/trajneri i Kombëtares së femrave, Elis Legata.

Maringlen ZHIVANI