Janë të dy 18 vjeçarë, luajnë të dy në qendër të mbrojtjes aktualisht por në rast nevoje mund të aktivizohen edhe në vende të tjera sepse i kanë aftësitë për ta bërë një gjë të tillë. Elmir Lekaj dhe Serjan Repaj janë dy futbollistë për të cilët flitet me superlativa nga drejtuesit e Akademisë Vllaznia.

Jo më kot, në fillim të këtij viti ata i kanë propozuar drejtuesve të klubit të firmosin kontrata afatgjata me to dhe kështu ka ndodhur. Ndërkohë vazhdojnë të luajnë me ekipin U19 dhe trajneri Zmijani beson shumë tek ata. Normalisht që janë baza e këtij ekipi me të cilin po luajnë për të dytin vit rradhazi.

Kanë luajtur në dy edicione të “Uefa Youth League” dhe kanë marrë tashmë edhe njëfarë përvoje për eksperiencat ndërkombëtare sepse në fakt trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave i kanë harruar ato. Shumëkush pyet se çfarë duhet bërë më shumë që dikush t’i hedhë sytë drejt tyre.

Kampionë në fuqi me moshat e tyre, në vend të parë edhe në kampionatin aktual, futbollistë të kompletuar në të gjitha drejtimet, por sërish ftesë për kombëtare nuk ka. Gjithsesi Lekaj dhe Repaj vazhdojnë të punojnë fort. Vitin e ardhshëm i pret ekipi i parë i Vllaznisë.

Aty ku duhet të hedhin bazat e karrierës së ardhshme. Kuqeblutë kanë nevojë për qendërmbrojtës shkodranë në fakt sepse aktualisht të tre që luajnë në këtë pozicion, kanë ardhur nga jashtë Shkodre dhe Shqipërie.
© shkodrasport.com