Tani është edhe Jur gen Klinsman kundër Joakim Lëv. Gjithçka nisi nga vendimi për të përjashtuar tre lojtarët e Bajernit nga kombëtarja e Gjermanisë. “Çfarë do të bëjë Lëv nëse Myler do të dalë golashënues?”, u shpreh ish-sulmuesi i Gjermanisë. Para 15 vitesh, Lëv dhe Klinsman nisën rrugën së bashku për të rilindur futbollin gjerman.

Ata janë dy tipa të ndryshëm që punojnë ndryshe nga njëri-tjetri. Por kaq ashpër sa sot, Klinsman nuk e kishte kritikuar kurrë më parë në publik trajnerin Lëv. Joakim Lëv është mbajtur gjithmonë si një trajner që kërkon qetësi në skuadër.

Grupi për të ka më shumë vlerë se loja individuale. Ndeshja ndaj Serbisë ishte një fillim i ri jo vetëm për të, por edhe për futbollin gjerman, i cili pas eliminimit në grupe gjatë Botërorit nuk doli mirë edhe në Ligën e Kombeve.

TRAJNERI, KUNDËR TË GJITHVE Jogi kundër të gjithëve. Këtu nuk hyjnë vetëm lojtarët që u përjashtuan, por edhe ish-kolegë si Jurgen Klop, Diter Heking, Lotar Mateus dhe Niko Kovaç. Pritet të dalë edhe Uli Hënes, i cili ka kërkuar kohë, por sigurisht nuk do të mbështesë këtë zgjedhje të trajnerit.

Joshua Kimish dhe Leon Gorecka gjithashtu dolën në mbështetje të shokëve të tyre. Shumë pyesin, përse tani? Pse jo pas Botërorit. Do të kishte qenë më bindëse për të gjithë. Pse kurrë nuk u përfol për largim të lojtarëve që kanë dhënë shumë për këtë fanellë, duke fituar edhe Kupën e Botës dhe duke bërë krenar një popull të tërë. Çfarë po fsheh Lëv? Pyetje këto që kanë ngelur jetime.

Nga trajneri pritej shumë në konferencën për shtyp para ndeshjes me Serbinë. Por u tha shumë pak. Më pas erdhi ndeshja, të gjithë ishin të vetëdijshëm që eksperimenti me formacionin do të shkonte keq. Barazimi i Goreckës nuk e shpëtoi gjithsesi trajnerin, i cili pranoi vetë që skuadra duhet të rritet dhe për këtë duhet kohë.

Por tifozët nuk mund të presin gjatë teksa kualifikueset e Europianit janë pranë dhe një dyshim tjetër do të ishte i papranueshëm. Ora po ecën kundër Lëv, i cili ndodhet në një moment të vështirë, ku edhe kolegët e tij i kanë kthyer shpinën tani që ai ka nevojë për më shumë. Sfida me Holandën është në horizont, aty do të kuptojmë më mirë se si është gjendja reale e skuadrës.