Një lajm surprizues është duke qarkulluar së fundmi për sa i përket zërave të merkatos. Mbrojtësi italian, Leonardo Bonuçi do të largohet pas vetëm gjashtë muajve nga Union Berlini për t’u rikthyer në Serinë A.
Sipas “Gazzetta dello Sport” Bonuçi është pranë akordit me Romën, ekip me të cilin ka marrëveshje në parim.
Mësohet se ish-kapiteni i Juventusit, te Roma do të transferohet si lojtar i lirë pasi ka kërkuar shkëputjen e kontratës me Union Berlinin që i skadon në fund të këtij edicioni.
Ai nuk është i kënaqur te skuadra gjermane, pasi në këtë edicion ka regjistruar vetëm 9 paraqitje në të gjitha garat.
Bonuçi në fillim të këtij edicioni iu bashkua Union Berlinit pasi e shkëputi kontratën me Juventusin, ekip me të cilin ka fituar tetë tituj kampioni të Italisë.
36-vjeçari, me Romën do të firmos kontratë për gjashtë muaj me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër.