Haris Lika, ish-trajneri i disa skuadrave në futbollin tonë ka qenë së fundmi i ftuar në Star Plus. Ish-mesfushori ka shprehur kënaqësinë që Vllaznia është rikthyer tek fitorja dhe loja e bukur. Gjithashtu ai ndalet edhe tek klasikja kundër Tiranës, ku patjetër përveç dëshirës për fitore të Vllaznisë, Lika e parashikon duelin shumë të fortë.

Lika tha: “Vllaznia tregoi veten dhe cilësinë që ka në ndeshjen kundër Kukësit. Ekipi krijoi volum dhe raste, që ndoshta disi kishin munguar në javët e shkuara.

Pavarësisht se skuadra mund të ndëshkohej në dy raste të kuksianëve, kuqeblutë e merituan totalisht fitoren dhe shpresoj të krijojnë një vazhdimësi në javët që vijojnë.

Tirana ? Është ndeshja që emocionon të gjithë në çdo periudhë. Patjetër parashikoj një ndeshje të fortë dhe një futboll të bukur. Dua fitoren e Vllaznisë dhe e besoj këtë, por duhet pasur kujdes edhe Tirana.

Mendoj se janë shumë të rrezikshëm në sulm dhe aty duhet të merren masat. Por besoj se stafi i di mirë këto gjëra dhe skuadra do jetë e përgatitur për ndeshjen e së shtunës”.
Endri ÇINARI