Tirana ia doli pa prezencën e dy lojtarëve kryesorë ndaj Egnatias, ku Seferi ishte i pezulluar nga kartonët, ndërsa kapiteni Hoxhallari i dëmtuar. Kjo dyshe është e gatshme për Kastriotin, por sërish të dielën trajneri Shehi nuk e ka të plotë grupin.

Vesel Limaj mungon ndaj krutanëve, për shkak të pezullimit nga kartonët. Por kjo nuk përbën problem, pasi mungesa e Limajt ka qenë e llogaritur që para ndeshjes, pasi duhej shlyer pezullimi ndaj Kastriotit, në mënyrë që mesfushori të ishte gati për turin e forcës me të mëdhatë.

Këtë gjë e ka pohuar edhe vetë Limaj, i cili i ftuar në emisionin “Skaner” e pranoi se kartonin e verdhë me Egnatian e kishte marrë me vetëdije dhe sipas llogarive.

Një veprim që i jep një avantazh sportiv skuadrës së Tiranën për ndeshjet në vijim pasi lojtari luan i qetë meqë është “pastruar’ nga kartonët. Por në këtë mes hyn tashmë Kodi i Etikës i FSHF. Neni 21, pika 1, thekson se veprime të tilla janë të ndaluara.

“Një manipulim i tillë përkufizohet si ndikim ose ndryshim i paligjshëm, drejtpërdrejt ose me një veprim apo mosveprim, i rrjedhës, rezultatit ose ndonjë aspekti tjetër të një ndeshje ose aktiviteti futbolli, pavarësisht nëse sjellja është kryer për përfitime financiare, përparësi sportive ose ndonjë qëllim tjetër”, shkruhet në Kodin e Etikës i cili shërben si rregullator për aktivitetet kombëtare.

I njëjti Nen parashikon që në rast dënimi, personi ndëshkohet me pezullimin me të paktën 5 vite nga të gjithë aktivitetet futbollistike dhe 2 milionë lekë gjobë.

Rasti i Limajt kujton atë të disa viteve më parë të Çabi Alonsos dhe Serxhio Ramos në Ligën e Kampioneve, kur nën urdhrat e Zhoze Murinjos, morën kartonë me dashje për t’u “pastruar” për sfidat e ardhshme të skuadrës. Të dy lojtarët u ndëshkuan me një ndeshje shtesë pezullim nga UEFA ndërsa Reali, ashtu si edhe shokët e skuadrës që i kaluan urdhrat e Murinjos, u ndëshkuan me gjoba të rënda.