Lionel Mesi ka vendosur hegjemoninë absolute për fitoren e trofeut të ”Topit të Artë” teksa ka fituar për herë të 8 në karrierë këtë çmim të rëndësishëm individual, dy më shumë se ndjekësi më i afërt, Kristiano Ronaldo.

Ylli argjentinas mori trofeun në mbrëmjen gala të zhvilluar në Paris, duke mundur Erling Haland dhe Kilian Mbape, të cilët ishin rivalët e vetëm që mund të kërcënonin futbollistin i cili u zgjodh si fitues për shkak të triumfit të tij në Kupën e Botës në dhjetorin e kaluar.


CEREMONIA

Ora 22:32 – Lionel Mesi është fituesi i “Topit të Artë” për herën e 8 në karrierë. Argjentinasi la pas Erling Haland dhe Kilian Mbape në garën për trofeun.

Ora 22:25 – Në skenë ngjitet Devid Bekam për të dorëzuar trofeun e “Topit të Artë” .

Ora 22:04 – Fituesja e ”Topit të Artë” për femra shpallet mesfushorja e Barcelonës dhe Spanjës, Aitana Bonmati.

Ora 22:00 – Zbulohet se Rodri, Vinicius dhe Julian Alvarez janë përkatësisht në vendet 5, 6 dhe 7 në garën për “Topin e Artë”.

Ora 21:55 – Meri Irps, Olga Karmona dhe Aleksandra Pop janë përkatësisht në vendin e 5-të, 6-të dhe 7-të në renditjen për “Topin e Artë” të femrave.

Ora 21:49 – Mançester Siti shpallet fituesi i trofeut për klubin më të mirë të futbollit për meshkuj.

Ora 21:37 – Çmimi “Gerd Myler” për golashënuesin më të mirë, i shkon Erling Haland, si sulmuesi që ka shënuar më shumë gola, 56 të tillë, gjatë këtij viti.

Ora 21:29 – Fituesi i trofeut “Lev Jashin” për portierin më të mirë të vitit u shpall Emiliano Martinez, të cilit ia dorëzoi trofeun babai i tij, Alberto.

Ora 21:14 – Trofeu i klubit të futbollit më të mirë për femra i shkon Barcelonës, fituese e Ligës së Kampioneve në fuqi.

Ora 21:12 – Bëhet e ditur se Patricia Guiharro, Linda Kaisedo dhe Rejçëll Deli janë përkatësisht në vendet 8, 9 dhe 10 në renditjen e për “Topin e Artë” për femra.

Ora 21:05 – Vinicius Xhunior është fituesi i çmimit “Sokrates” për punën e tij me fondacionin që ka në Brazil për të ndihmuar fëmijët në nevojë.

Ora 21:02 – Bëhet e ditur se Osimhen, Bernardo Silva dhe Modriç janë lojtarët e pozicionuar përkatësisht në vendet 8, 9 dhe 10 në renditjen e përgjithshme për “Topin e Artë”.

Ora 21:00 – Xhud Bellingam fiton trofeun “Kopa” që i jepet lojtarit të ri më të mirë të vitit.

“Jam me të vërtetë krenar që jam një lojtar i cili ndihmon skuadrën që të fitojë ndeshje. Kam bërë një vit të mirë, ndaj është kënaqësi ky trofe. Unë luaj për gjëra të tilla, që të kem këtë lloj shpërblimi, emocionesh. Objektivi tani do të jetë që të fitoj gjithçka me Real Madrid në këtë sezon. Jam besimplotë”, tha futbollisti britanik teksa mori çmimin.

Ora 20:50 – Didier Drogba fton në skenë disa nga yjet e ftuar dhe që janë të pranishëm në këtë mbrëmje, mes të cilëve Mesi, Haland e Mbape.

Ora 20:45 – Nis mbrëmja gala, nën prezantimin e Didier Drogba dhe Sandi Heriber.

LISTA SIPAS RENDITJES

1 Lionel Mesi

2 Erling Haland

3 Kilian Mbape

4 kevin De Bryjn

5 Rodri

6 Vinicius

7 Julian Alvarez

8 Viktor Osimhen

9 Bernardo Silva

10 Luka Modriç