Karlo Ançeloti ka bërë shaka dhe ironi me gazetarët në momentin që e pyetën për transferimin e mundshëm të Kilië Mbapesë. Ai e konsideroi një futbollist të madh, por kërkon që vëmendja të përqëndrohet te ndeshja kundër Betisit, që italiani dëshiron ta fitojë patjetër.
NDESHJA – “Betisi luan shumë mirë. Është forcuar dhe ka një trajner ekspert. Duhet të përmirësohemi shumë në mbrojtje. I gjithë çelësi i suksesit është se si të mbrohemi mirë”.
MBAPE – “Çfarë pyetjeje e çuditshme. Kjo është një situatë që i përket klubit. E kuptoj interesimin tuaj, por nuk mund të them asgjë më shumë. Jemi përqendruar te ndeshja. Politika e klubit nuk më intereson shumë”.
BLERJA – “Mbape është një lojtar i madh dhe unë thjesht po them të vërtetën. Por, për momentin po përqendrohem vetëm te futbollistët e mi. Organika ime është fantastike. Po punoj me këta djem. Ne mund të luajmë ndaj çdo ekipi të fortë në botë. Nëse organika përmirësohet, përmirësohemi të gjithë”.
HAZARD – “Është një lojtar i rëndësishëm për ne. E shoh të karikuar dhe të motivuar për të bërë gjithçka në këtë skuadër”.
LA LIGA – “Ne nuk zbresim në fushë për të barazuar. Nuk është Reali për të barazuar. Naço nuk do të jetë, por kemi Karvahalin. Puna në mbrojtje është për të gjithë. Duhet të mbrojmë 11 lojtarë”.
RONALDO – “Është gjëja e duhur që ka bërë. Rikthehet në një skuadër që e ka dashur shumë. I uroj më të mirat. Mendoj se edhe La Liga ka shumë kualitet”.
VINICIUS – “Është një titullar për mua, pavarësisht se nuk ka luajtur nga minuta e parë në ndeshjet e para. Do të shohim nëse do të jetë titullar apo do ta nisë më vonë. Ecuria e tij është mjaft e mirë dhe mund të shënojë shumë gola. Për një orë lojë ka shënuar 3 gola, po aq sa edhe në sezonin e kaluar”.
PEREZ-BERLUSKONI – “Nuk e di se kush e ka ndryshuar më shumë futbollin nga ata të dy. Për mua ka qenë fat i madh që të punoja me këta zotërinj të futbollit”.
KASEMIRO – “Duhet ta kisha përdorur më shumë në etapën time të parë. Është një lojtar i rëndësishëm për ne”.