Trajneri i Kastriotit, Emiliano Çela, ka dhënë sinjale të largimit menjëherë pas ndeshjes së parë të kampionati të skuadrës krutane, e cila u mposht ndaj Bylisit. Tekniku deklaroi për “Oversport” pas humbjes se po priste reagimin e klubit i cili nuk ka mundur të regjistrojë lojtarë për shkak të problemeve me FIFA-n.
“Gjatë javës të fundit na është dashur të ndërrojmë komplet mënyrë loje nga ajo që kemi përgatitur gjatë gjithë kësaj kohe, për pasojë dokumentacioni a nuk e di çfarë. Shumë lojtarë nuk kanë luajtur. Nga pjesa aktive kërkova sakrificë, të jepnin diçka më shumë nga vetja, se nga ekipi që u aktivizua sot, 2-3 të paktën ishin jo në pozicion natyral si pasojë e mungesave që kishim. Na detyroi të ndryshonim. Kush është trajner e kupton se sa e vështirë është. Na detyroi që të përgatitnim diçka tjetër brenda dy ditëve. Kështu që përgatitja ishte te lojtarët në karakter të jepnin maksimumin, patëm probleme në situata të veçanta loje dhe si për çudi ata që luajtën jashtë pozicionit natyral u prezantuan mirë. Kishim motiv për të treguar veten, luftuar dhe për të arritur formacionin. Ajo gjë nuk ndodhi me lojtarët e tjerë, ata lojtarë që besojnë se mendojnë se vendi është me tapi. Se me tapi kanë luajtur se kisha dy lojtarë në stol, dy çuna të ri, është logjike dhe vjen natyrale.
Nuk e di, do pres çfarë do të bëhet këtë javë, nuk dua të marr vendime të nxituara se jam i mërzitur nga mënyra se si shkoi ndeshja, situata që erdhi se sinqerisht gjatë këtyre dy muajve jam lodhur shumë për mënyrën e lojës dhe gjithë ai mund na dështoi në ditët e fundit. Kështu që normal që trajneri merr përgjegjësitë i pari se ne dalim këtu para e të tjerët jo. Patjetër që do të bëj një bisedë të gjatë, nuk mund të vazhdojë kështu kjo situatë, duhet të gjejmë zgjidhje. Duhen lojtarët që kanë probleme dokumentacioni, duhet të bëjmë merkato. Nuk kam dalë para mediave në këtë periudhë se po prisja me shpresën do vijnë lojtarë sot, do të vijnë lojtarë nesër. Ata lojtarë nuk erdhën as sot e as nesër, shpresojmë pasnesër. Të paktën unë të kem mundësi të fus konkurrencën në ekip, të kem mundësi që asnjë të mos e mendojë vendin e sigurt dhe patjetër të kem mundësi të realizoj qëllimin që kam unë si trajner. Kjo është e gjitha.
Është e pamundur në momentin që të duhet dy ditë para ndeshjes të improvizosh. Është ndeshja e parë e kampionatit, nuk erdhëm sot këtu, kemi dy muaj që punojmë me ekipin. Blerjet kanë qenë të rëndësishme dhe me këta kam punuar të gjitha stërvitjet dhe ndeshjet. Kanë pasur probleme dokumentacioni dhe nuk mundën të prezantoheshin, këta na shtojnë cilësi dhe fusin konkurrencën në grup. Ndaj e thashë që luajtën në pozicion jo natyral, u prezantuan më mirë nga të gjithë se kishin qëllim të prezantonin veten. Në këto kushte jemi shumë larg asaj që kemi bërë”, tha Çela./PANORAMA-SPORT/