Sulmuesi i talentuar i Kombëtares së Italisë, Gianluca Scamacca, pritet shumë shpejt të firmosë me West Ham. Së fundmi, italiani është nisur drejt Londrës për të kryer vizitat mjekësore dhe të hedhë firmën në kontratë.

36-milionë euro + 6 të tjera bonuse, kanë bërë që Sassuolo të zgjedhë klubin anglez në vend të PSG, si destinacionin e Scamacca. Kështu me transferimin e tij, West Ham përfundimisht mund të thuhet se ka hequr dorë nga transferimi i Armando Brojës.

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë ishte një nga më të preferuarit e trajnerit David Moyes, por duket se gjërat ndryshuan pas insistimit të Thomas Tuchel, që kërkon me çdo kusht që 20-vjeçari kuqezi të qëndrojë te Çelsi.

Me transferimin e Scamacca te West Ham, mund të thuhet që Broja sipas të gjitha gjasave, do të qëndrojë te Çelsi sezonin e ri dhe do të provojë shansin e madh. West Ham e gjeti sulmuesin që kërkonte Moyes, prandaj sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja pritet të mos lëvizë nga Çelsi.
Maringlen ZHIVANI