Tensionohet gjithnjë e më tepër gjendja në kampin e kundërshtares së Vllaznisë në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës dhe ka qenë Presidenti i klubit të Universitateas së Krajovës, Mihai Rotaru, i cili ka patur një shpërthim të paprecedentë ndaj lojtarëve, duke deklaruar se ata “nuk mund ta vishnin këtë fanellë nëse luanin kështu”. Pas barazimit 2-2 në javën e parë në kampionat përballë Sepsit, ka ardhur edhe barazimi 1-1 në Shkodër, dhe tashmë edhe një barazim 1-1 përballë Universitateas së Klujzhit dhe kreu i klubit universitar nuk e ka fshehur zhgënjimin.

Ai e ka cilësuar si një “katastrofë” paraqitjen në pjesën e parë përballë Universitateas së Klujzhit, ndërsa ka vënë në dyshim edhe karakterin e disa prej lojtarëve. “Ka lojtarë që nuk kanë lidhje me Universitatean e Krajovës”, – ka thënë ai, duke vijuar: “Jam i zhgënjyer me disa prej tyre, të cilëve ua dhashë unë shansin për të ardhur këtu. Janë 2, 3 apo 4 lojtarë që nuk bëjnë asgjë. Prandaj na duhen përforcime. Pjesa e parë ndaj Universitateas së Klujzhit ishte një “katastrofë”.

Për më tepër, lojtarët që u lanë pushim në ndeshjen e parë ndaj Vllaznisë, u paraqitën shumë dobët. Kjo është e turpshme! Duke sikur u mungon dëshira dhe interesi për të luajtur.” Më tej, presidenti i Universitateas së Krajovës ka patur edhe një thirrje për reflektim, duke u ofruar lojtarëve një këndvështrim filozofik.

“Në jetë, asgjë nuk të jepet falas”, – ka thënë ai, duke vijuar: “Duhet ta ulësh kokën dhe të punosh. Kjo tregon se ke karakter kur gjërat vështirësohen dhe jo kur gjërat shkojnë mirë e bukur.” Në fund, ai ka shigjetur tërthorazi edhe trajnerin e skuadrës, stoli i të cilit është lëkundur mjaft këto dy javët e fundit.

“Nuk është detyra ime të flas me lojtarët… është Lazlo Balinti ai që duhet të flasë me ta dhe jo unë”, – ka përfunduar Presidenti i klubit të Universitateas së Krajovës, Mihai Rotaru, duke folur për mediat rumune.