Diego Longo është prezantuar zyrtarisht ditën e sotme para mediave, ndërsa ka dalë edhe në një konferencë për shtyp së bashku me presidentin Sinan Idrizi dhe Alfred Ferkon, drejtori sportiv.

Timonieri i ri i kuqezinjve është entuziasht për aventurën e re, ndërsa theksoi se 6 sfidat e mbetura janë si finale për ngjitjen në Superligë.

“Kam pasur edhe oferta të tjera por nuk kam pranuar. Duhet të shkojmë në Supeligë, sot ekziston vetëm Flamurtari dhe këto 6 ndeshje. I kam parë ndeshjet dhe njoh skuadrën. Nëse stërvit një skuadër me emrin e Flamurtarit dhe investimet e bëra, nuk ka presion, ka vetëm detyrim të bësh më të mirën. Ai që ndjen presion nuk duhet ta marrë përsipër”, ka theksuar shkurtimisht ish-trajneri i Kukësit.

Kujtojmë se ndeshjen e radhës Flamurtari do ta ketë ndaj Orikut në transfertë ku do të debutojë edhe Londo. Aktualisht kuqezinjtë renditen në vendin e 3-të në tabelën e klasifikimit me 35 pikë, -2 nga vendi i dytë që mbahet nga Dinamo dhe -3 nga Skënderbeu që udhëheq Kategorinë e Parë./newsport/