Kukësi ka mundësi që të shpëtojë kam pionatin dhe veten. Verilindorët luajnë sot përballë Tiranës në “Loro Boriçi” me synimin e vetëm të marrin tri pikët, të cilat do ta afronin akoma më shumë me kryesuesit dhe njëkohësisht do të “blindonin” vendin e dytë.

Në prononcimin e dhënë për mediat para kësaj sfide, trajneri Diego Longo i konsideron bardheblutë si skuadrën që duhet mundur, ndaj jo më kot janë në krye të klasifikimit. Gjithsesi, ai pohon se skuadra që ai drejton është gati për t’u përballur.

“Është kundërshtar i vështirë, ndodhen në vendin e parë dhe dua të them që është skuadra për t’u mundur. Jemi gati të përballemi dhe të japim më të mirën, ashtu siç kemi bërë me skuadrat me të cilat kemi luajtur”, u shpreh fillimisht tekniku italian.

PRESIONI – Në lidhje me presionin në këtë ndeshje Longo pohoi se skuadra nuk ka presion, për më tepër që sido që të shkojnë gjërat, edhe pas kësaj jave janë të sigurt në vendin e dytë, duke tejkaluar edhe pritshmëritë.

“Jo, nuk kemi presion. Mësuam që Teuta barazoi me Skënderbeun dhe tani që ende nuk kemi luajtur ndodhemi në vendin e dytë. Mendoj se jemi në një pozicion komod, para katër javësh askush nuk e mendonte se do të ishim në këto pozita, ndaj do të luajmë pa presion”, vijoi më tej italiani.

FITORJA – Për Longon janë tri gjëra që duhen për të fituar këtë ndeshje, edhe për faktin se te Tirana është e vështirë për të gjetur pika të dobëta. Sipas tij, ekipi duhet të tregohet i keq kur duhet. “Kjo ndeshje fitohet me ekuilibër, përqendrim dhe dëshirë. Të jemi të këqij atëherë kur duhet. Është një kundërshtar që vështirë t’i gjesh një pikë të dobët dhe pa dyshim që duhet shumë punë për të mundur këto skuadra dhe duhet t’i përgjigjemi me të gjitha forcat tona”, vijoi më tej kreu i pankinës së Kukësit.

SITUATA – Në lidhje me situatën në ekip Longo e vlerësoi si pozitive, por i vjen keq që nuk do të luajnë në fushën e tyre përballë tifozëve. “Situata në ekip është shumë e mirë, pasi kemi punuar në të gjitha frontet, entuziazmi është i madh në një ndeshje të tillë. Shumë besim në vetvete dhe aspak presion, sepse nuk ka arsye. Më vjen keq që nuk mund të luajmë para tifozëve tanë, por shpresojmë që t’u japim një kënaqësi në këtë takim”, përfundoi prononcimin e tij Diego Longo.