Kupa e fituar sot me Vllaznia U19 është trofeu i pestë i tij si trajner. Një karrierë e nisur në mënyrën e duhur dhe për më tepër, ai tashmë po krijon profilin e njeriut të sukseseve. Bëhet fjalë për Luan Zmijanin, ish- futbollistin e njohur të kuqebluve i cili po spikat me paraqitjet e tij edhe si trajner.

Ai ka qenë trajner i Vllaznisë kampione në sezonin 2013-2014 kur pjesë e këtij ekipi kanë qenë futbollistët Alen Sherri, Erdenis Gurishta, Samet Ruqi e të tjerë që sot janë pjesë e Vllaznisë.

Po ashtu edhe Arlind Kalaja që luan aktualisht me Kastriotin, Erald Çinarin që luan me Partizanin, Denis Pjeshka që luan me Laçin, Dritmir Beci e Denis Dyca që luajnë me Tomorin etj.

Pas këtij suksesi të parë, për disa muaj mori drejtimin e ekipit të parë të Vllaznisë, por aty gjërat nuk i shkuan ashtu si duhet, kjo për shumë arsye. Më pas mori drejtimin e ekipit U13 me të cilin sigurisht që nuk mund të mungonin sukseset por drejtuesit e klubit sërish e panë të aryeshme ta “gradonin” tek ekipi U19 pas dorëheqjes së Elvin Beqirit në fund të sezonit 2016-2017.

Dhe Luan Zmijani e mori këtë ekip kampion, në të njëjtin stad ku e kishte lënë. Detyra e tij ishte të vazhdonte më tej këtë rrugë. Dhe sukseset do jenë sërish të pranishme. Në sezonin 2017-2018 fiton të tre trofetë e sezonit, Kupën e Shqipërisë, trofeun e kampionit të Veriut dhe kampion i Shqipërisë.

Sot ndërkohë, me Vllaznia U19 ka fituar Kupën e Shqipërisë, trofeu i pestë dhe kuptohet jo i fundit. Zmijani karakterizohet nga një disiplinë e fortë sportive e cila në fakt i bën mirë futbollistëve të kësaj moshe dhe jo më kot, tifozët apo dhe drejtuesit e konsiderojnë atë trajnerin “adap” për drejtimin e të rinjve.

Këtu hidhet baza e së ardhmes dhe ai po e bën siç duhet këtë detyrë për t’i ndihmuar ato të jenë në nivelet e duhura për ekipin e parë, por edhe për ekipet kombëtare sepse plot shtatë futbollistë të tij sot janë pjesë e kombëtareve U19 dhe U20.
© shkodrasport.com