Uendi Vecaj pak vite më parë shihej si një premtim i madh, jo vetëm për futbollin shkodran, por edhe atë shqiptar. Vecaj ka luajtur rregullisht me kombëtaret e moshave, e madje fare i vogël që pa mbushur të 17-teta ka debutuar me Vllazninë e madhe në elitë.

Dy sezone mes të rinjve dhe skuadrës së parë, një provë e suksesshme te Dinamo e Zagrebit, aty ku luan edhe me skuadrën e dytë, vetëm 30 minuta dhe më pas rikthim në Superiore. Te Teuta e Durrësit aty ku duket se po e gjen veten. Në një intervistë për “Vipsport.al”, Vecaj ka folur për synimet e këtij sezoni dhe të ardhmen…

-Vecaj si e shpjegoni faktin se shkodranët e gjejnë veten mjaft mirë në Durrës?!

Është një konstatim i drejtë dhe vitet e fundit mund të them se Teuta është një dashuri për lojtarët shkodranë, e sidomos djemtë e rinj. Në Durrës ke qejf që të luash është një klub serioz dhe sidomos për lojtarët e rinj që duan të ecin është “trampolinë” e suksesshme.

-Nga Dinamo e Zagrebit te Teuta, pse kjo zgjedhje?

Po në Kroaci e kalova provën me sukses, por nuk po luaja shumë. Duke parë edhe interesime e Teutës dhe faktin ë grumbullohem edhe me Shpresat U-21, mendova që të rikthehem në Superiore dhe të luaj sa më shumë. Te Teuta dalëngadalë po kap ritmin dhe më vjen mirë që është një ekip ku ka konkurrencë dhe trajneri Shkëmbi punon shumë mirë, e sidomos edhe me ne lojtarët me perspektivë.

-Një gol në kampionat ndaj Krujës dhe dy sot në Kupë me Lushnjën. 312 minuta në total. A jeni i kënaqur me paraqitjen tuaj?!

Po të them të vërtetën kam ardhur në rritje dhe besoj se do të luaj edhe më shumë sepse në stërvitje punoj shumë. Normalisht që është trajneri ai që vendos. Unë e ndiej veten në formë tashmë dhe kam shumë për t’i dhënë kësaj Teute në realizimin e synimeve që ka në çdo ndeshje.

-Cilat janë synimet e Vecajt?

Dua që të luaj sa më shumë në Superiore dhe Teuta të shkoj në Kupat e Evropës, pasi do të jetë edhe një “trampolinë” shumë e mirë për ne. Pastaj të rikthehet në Evropë, te Dinamo apo në ndonjë vend tjetër varet pastaj…/vipsport/