Sportistja shqiptare, Luiza Gega ka shkruar historinë me dy medaljet që arriti të koleksionojë në Kampionatin Ballkanik në Turqi.

Gega arriti të “rrëmbejë” dy medalje në edicionin e 27-të të këtij turneu, ndërsa atletja shqiptare doli e dyta në garën e 1500 metrave, kurse në atë të 3000 metrave u shpall kampione Ballkani.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Gega ka shkruar se shkon në numrin e 8 medaljeve të arta të fituara në Kampionatin Ballkanik.

Atletja kuqezi shpallet numri 1 në historinë e kampionateve ballkanike sepse fiton medaljen numër 8 të arit, më shumë se të gjitha konkurentet e tjera në kampionatet ballkanike të sallave të mbyllura.

“Dy gara , dy medalje. 1500 metra, medalje argjendi, 3000 metra, medalje ari. E teta medalje ari që fitoj në Kampionatin Ballkanik (në salla të mbyllura).

Gjithsesi surpriza më e madhe ishte sepse sot mora vesh që u bëra sportistja e parë në historinë e Kampionatit Ballkanik që fitoj më shumë medalje ari.

Në fakt është hera e parë që provoj të bëj dy gara brenda 50 minutave. Mund ta quaj një stërvitje të mirë me finish të shpejtë, përpara Kampionatit Botëror”.