Kryetari i Bashkisë Shkodër ndjehet mjaft mirë që qyteti të cilin ai përfaqëson, ka tashmë në rradhët e tij një kampion bote. Prandaj dhe në takimin me Elis Gurin ai i ka shprehur mirënjohjen për mënyrën si e ka interpretuar këtë sukses ndonëse për flamurin bullgar por duke e shprehur në çdo vend origjinën e tij dhe flamurin e tij. Lorenc Luka njëkohësisht në prononcimin e tij për televizionin Rozafa i ka bërë thirrje edhe sportistëve të tjerë shkodranë të ndjekin rrugën e Elisit. Ja intervista e plotë e kryebashkiakut Luka:

-Zoti Luka nuk ndodh shpesh që një kryetar bashkie të takojë një kampion bote. Çfarë do të thotë kjo për ju?

-Ky është një moment mjaft i rëndësishëm për mua si kryetar Bashkie i qytetit të Shkodrës që në këtë fundviti dhe besoj se nuk mund të ndodhte ndryshe, që ky vit të mos mbyllej pa prezencën në Shkodër të një emri të njohur jo vetëm në Shkodër por edhe më gjerë. Suksesi i Elisit nuk është vetëm i tij por edhe i gjithë Shkodrës dhe sëbashku me babain e tij, i kanë sjellë këtij qyteti shumë rezultate, tituj por në këtë rast kuptohet që djali ka dalë më i mirë se babai dhe i ka sjellë Shkodrës një rezultat që pavarësisht se nuk është me ngjyrat e flamurit tonë por është prezantuar denjësisht. E vlerësoj maksimalisht mënyrën se si Elisi ka mbrojt edhe ngjyrat e flamurit tonë atje sepse në çdo rast, në çdo moment është shprehur që jam shqiptar, jam shkodran dhe besoj se kështu ai ka nderuar veten, na ka nderuar edhe ne.Ky moment në fund të këtij viti besoj se është shumë i rëndësishëm për të mobilizu të gjithë ato talente që kemi në Shkodër, por njëkohësisht edhe Elisi, për të vazhduar këtë rrugë me këto rezultate shumë të larta që ka arritur Elisi dhe për t’i çuar më përtej ato prandaj në të gjitha garat e ardhshme ne do jemi me vëmendjen maksimale aty tek ai sepse do vazhdojë të përfaqësojë vendin tonë, Shkodrën e talenteve, përfaqëson familjen e tij dhe prandaj unë sot jam shumë i lumtur që Shkodra ka në rradhët e saj edhe kampion bote. Ky është një motivim por edhe një thirrje që në një moment, ai pse jo të përfaqësojë sërish Shkodrën. Ky qytet ka edhe të tjerë sportistë të niveleve të larta e këtu përmend Qerimajn e ndonjë tjetër dhe këta sportista duhet të vazhdojnë në këtë rrugë. Jam i lumtur që Shkodra e sporteve, e mbyll vitin 2011 me një kampion bote dhe shpresojmë që kështu t’i mbyllin edhe vitet e tjera.

-Guri falenderoi Bashkinë për titullin e dhënë por z.Luka besoj se Shkodra duhet t’i jetë mirënjohëse këtij sportisti apo jo?

-Ne e mbështesim, e falenderojmë dhe jemi të lumtur që nga Shkodra ka dalë ky talent i këtyere përmasave dhe jam i bindur se nën shembullin e Elisit edhe shumë të tjerë do përpiqen, do luftojnë, do stërviten për t’i arritur këto rezultate sepse tashmë ne duhet ta kuptojmë se këta rezultate nuk janë ma bumerang për sportistët shkodranë. Kemi një shembull-Elisin, kemi shembull të tjerë dhe prandaj kjo rrugë duhet vazhduar. Bashkia e Shkodrës është e vetmja ndoshta në Republikë që ka mbajtur klubin shumësportësh, duke ruajtur shumëllojshmërinë e sporteve për të vetmen arsye se këtu talentet nuk mungojnë. Duhet të mendojmë për të ardhmen sesi t’i stimulojmë më tepër. Por njëkohësisht duhet që edhe komuniteti i biznesit duhet të jetë më i ndjeshëm për t’i mbështetë rezultatet e këtyre sportistave.

-Së fundi, cili do jetë urimi juaj për sportistët shkodranë për vitin 2012?

Uroj gjithë sportistat shkodranë që viti 2012 e më pas, të jetë një vit që do sjellë në Shkodër rezultate siç solli Elisi. Ky duhet të jetë prioritet, ky duhet të jetë synimi i çdo sportisti. E rëndësishme është të luftosh për të arritur atë çka Elisi e bëri të mundur.

Intervistoi: Gjergj KOLA