Elseid Hysaj në fund të këtij sezoni mund të festojë titullin e parë kampion në karrierë.

Ka shansin ta realizojë këtë ëndërr me fanellën e Napolit në Serie A dhe kënaqësia është e dyfishtë nëse arrin të triumfosh në një kampionat ku Juventus dominon.

Momentalisht renditen të parët dhe fjalët e mira për shkodranin nuk kanë munguar, por ka pasur edhe kritika, që lidhen kryesisht me lojën e Hysajt në sulm.

Menaxheri i Hysajt, Mario Giuffredi, në një lidhje telefonike në një nga radiot e vendit fqinj, ka folur për disa prej lojtarët që ai ka nën mbikëqyrje dhe për shkodranin ka fjalët më të mira.

“Rreth Hysajt ka shumë pak për t’u thënë. Ka tre vite që ka vendosur pilot automatik, duke ofruar paraqitje mbi mesataren.

Ai dhe Conti mund të jenë ndër më të forti në Evropë. Është vetëm 24 vjeç dhe besoj se është i padiskutueshëm”, ka thënë Giuffredi në “Radio Crc”./EDS/