Mbrëmjen e sotme, në orën 20:45 do të luhet takimi miqësor mes Shqipërisë dhe Italisë. Një mundësi mjaft e mirë kjo për futbollistët shqiptarë për të treguar aftësitë e tyre ndaj një emri të madh si Italia.

Ndërkohë, Di Marzio ka zbuluar formacionin e mundshëm të axurrëve për takimin e sotshëm. Mançini ka ideuar 11-shen e tij, e cila do të rreshtohet në një 3-4-3.

Mes shtyllave do të jetë Donnarumma, ndërsa në mbrojtje përpara tij do të jetë treshja Bonuçi, Scalvini dhe Bastoni. Dy qendrat e mesfushës do të përbëhen nga Tonali dhe Verratti, ndërsa në krahë do të jenë Di Lorenzo në të djathtë dhe Dimarco në të majtë.

Sa i përket repartit të avancuar, rolin e sulmuesit kryesor që do të shërbejë si një pikë reference, do ta marrë Raspadori. Ky i fundit do të ndihmohet nga krahët përmes Zaniolos dhe Grifo, të cilët do të vendosen në fushë përkatësisht në të djathtë dhe në të majtë.

Ndeshja Shqipëri-Itali do të luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare”, duke nisur nga ora 20:45 dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “SuperSport”. Ndërkohë, gjyqtar i ndeshjes pritet të jetë kosovari nga Prishtina, Genc Nuza. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Italisë (3-4-3): Donnarumma, Bonuçi, Scalvini, Bastoni, Di Lorenzo, Tonali, Verratti, Dimarco, Zaniolo, Raspadori, Grifo Tr: Roberto Mançini