Kombëtarja shqiptare e futbollit do luajë një miqësore luksi sonte përballë Italisë. Me takimin që do zhvillohet në orën 20.45, në stadiumin ‘Air Albania’ gjithçka do jetë për tu shijuar mes kuqezinjëve dhe të kaltërve. Nga anae tyre për 4 herë kampionët e Botës, kjo është një ndeshje që ndoshta nuk do donin ta luanin në këtë periudhë. Pasi nëse do ishin kualifikuar në Botëror ata tashmë do ishin në Katar për tu përgatitur për turneun më të madh të futbollit, që do startojë ditën e dielë.

Megjithatë edhe skuadra e drejtuar nga Mancini do e respektojë duelin që luhet sonte. Kjo duke parë edhe emrat që janë grumbulluar, ku futbollistë si Bonuci, Chiesa, Barella apo edhe të tjerë janë me të vërtetë të një klasi tjetër. E në një stadium të mbushur plot siç do jetë sonte në Tiranë, atmosfera nuk do i ngjajë krejtësisht një miqësoreje, që kundër Italisë patjetër që shijon për çdo tifoz anë e mbanë vendit.

Por kjo miqësore do jetë një provë e vërtetë për disa nga të grumbullarit në kombëtaren e Rejas dhe më konkretisht për futbollistët e ardhur nga Superliga e jonë. Kështu nëse kundër Arabisë dhe Katarit thuajse të gjithë ishin të ftuar nga kampionati ynë, diçka e tillë nuk ka ndodhur për miqësoret kundër Italisë dhe Armenisë. Vetëm disa futbollistë janë përzgjedhur nga italiani dhe stafi i tij për të treguar vlerat dhe nëse do e meritojnë edhe një ftesë tjetër në të ardhmen për të përfaqësuar kuqezinjtë.

Për emra si Gurishta, Bitri, Hadroj, Cara apo edhe Skuka ndeshja sonte do jetë një provë. Por gjithashtu edhe një reklamë për ta personalisht, por edhe kampionatin tonë ku mund të hidhen sytë më shpesh për lojtarë. Shanse të tilla nuk vinë shpesh në karrierën e një futbollisti dhe me patjetër që të gjithë do mundohen që ta shfyrtëzojnë në maksimum.

Dhe ku ka më mirë se ti tregosh vlerat e tua përballë një ekipi si Italia, ku edhe sytë e veshët e Botës janë tek kjo kombëtare. Që pavarësisht se nuk është kualifikuar në Botëror, nuk i humb kurrë vlerat historike.
Endri ÇINARI