Dinamo siguroi Supe rioren fundjavën që shkoi, por duhet pranuar se festa blu u zbeh disi nga shija e keqe që lanë pamjet e ndeshjes në “Roza Haxhiu”. Momentet e golave të pësuar, sidomos i dyti, penalltia e shkaktuar apo dhe disa gjeste të lojtarëve në fushë bënë xhiron e rrjetit dhe akuzat për tolerim vërshuan drejt kryeqytetasve. Klubi e ka kaluar në heshtje gjithë këtë situatë, ndërsa skuadra është lënë tri ditë pushim. Kjo javë është pushim për Dinamon, që ka vetëm ndeshjen e fundit me Luzin për të luajtur dhe shpreson që të fitojë edhe titullin kampion të Kategorisë së Parë.

MARKO – Andrea Marko, një nga figurat më të shquara të Dinamos, ish-lojtar dhe ishtrajner i saj, në një prononcim për “Panorama Sport” komenton rikthimin e saj në elitë, pastaj ka dhe një mesazh për futbollistët, duke iu referuar ndeshjes së Lushnjës. Së pari ai ka fjalët e mira për ngjitjen e bluve në Superiore:

“Duhet ta përgëzojmë Dinamon për rikthimin në Superiore. Është mirë për të dhe futbollin shqiptar. Ka bërë një kampionat të mirë dhe është e rëndësishme që rikthehet, pasi ka marrë edhe mësimet e duhura gjatë kësaj periudhe. E pret një garë e fortë në elitë, sepse do të ndeshet me skuadra të forta, si Tirana, Partizani, Vllaznia e me radhë, kështu që duhet të afrojë futbollistë me kualitet. Dinamo meriton të jetë gjithmonë mes më të mirëve, të jetë faktor në futbollin shqiptar”, është shprehur Marko.

SEJDINI-MEHMETI – Më tej, ish-trajneri i Dinamos, ka vlerësuar lëvizjen e presidencës për të afruar në stol Dritan Mehmetin, por edhe Faruk Sejdinin si këshilltar të tij: “Kanë bërë shumë mirë drejtuesit që kanë afruar Farukun (Sejdinin). Ai aty ishte, por është mirë që është afruar në klub, sepse me mendimet e tij mund ta ndihmojë Dinamon. Po ashtu, edhe afrimi i trajnerit Mehmeti është një lëvizje pozitive. Ai ka merita të veçanta për menaxhimin e skuadrës në një moment të vështirë, siç ishte sidomos ndeshja me Flamurtarin në transfertë apo edhe ndeshje të tjera. Unë e kam thënë gjithmonë se Dinamo ka nevojë për sa më shumë dinamovitë”.

LUSHNJA – I pyetur për ndeshjen e Lushnjës ose më saktë a e njollos ajo paraqitje emrin e Dinamos, Marko ka theksuar: “Unë e pashë të përmbledhur atë ndeshje. Nuk e di, pati një lloj indiferentizmi në disa momente dhe kjo nuk është gjë e mirë. Unë do t’u drejtohesha lojtarëve të Dinamos, duke u thënë që të jenë sa më seriozë në punën e tyre, të respektojnë dhe të nderojnë fanellën që ata mbajnë veshur.

Nëse sot nuk janë profesionistë në atë që bëjnë në fushë, nuk kanë gojë nesër që t’ua kërkojnë këtë gjë lojtarëve që do të stërvitin e drejtojnë. Kaq di të them. Por le të shohim së pari anën pozitive, ngjitjen e Dinamos në elitë dhe të shpresojmë që këtë herë të mos ketë kthim prapa. Shpresojmë, siç e thashë, që të jetë faktor i futbollit shqiptar”, ka përfunduar Andrea Marko