Kylian Mbappé, Erling Haaland apo të dy? Pavarësisht sulmit brazilian (Vinicius, Rodrygo dhe së shpejti edhe Endrick) dhe shifrave mahnitëse të Jude Bellingham, Real Madridi dëshiron të afrojë një qendërsulmues të madh në verë.

Prioritet mbetet francezi 25-vjeçar, kontrata e të cilit me PSG skadon në qershor dhe është i lirë për të negociuar me çdo klub nga 1 janari, por “grackat” fshihen kudo, zhgënjimi i dështimit të transferimit më 2022 është ende i gjallë.

Një vit e gjysmë pas asaj kthese të bujshme, Real Madridi ka ndryshuar tonin në negociatat me Mbappe, pret një përgjigje përfundimtare prej tij deri më 15 janar. Nëse nuk ndodh kështu, “Los Blancos” janë gati të hidhen në sulm për Erling Haaland, sulmuesin 23-vjeçar, që ka kontratë me Manchester Cityn deri në vitin 2027.

Ylli norvegjez mund të arrijë me kushte mjaft të favorshme, sepse e ka lënë rrugëdaljen me klauzolë në kontratën aktuale. Sipas informacioneve të raportuara nga “As”, ish-lojtari i Borussia Dortmundit ka një klauzolë në kontratën e tij që mund t’i lejojë të largohet nga City për “vetëm” 100 milionë euro, por kjo klauzolë është e rezervuar vetëm për klubet jo angleze.

Këto të fundit mund ta blejnë atë vetëm për më shumë se 200 milionë euro. Real Madridi madje mund të nënshkruajë me të dy, për ta bërë të paharrueshëm inaugurimin e “Bernabeut” të ri, rinovimi i të cilit do të përfundojë për sezonin e ardhshëm./telesport/