Fernandinho pritej të mbërrinte sot në Tiranë për të nisur punën me Partizanin. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Burime të besueshme pranë klubit të kuq tregojnë se ende drejtuesit nuk kanë dhënë miratimin për mbrojtësin brazilian që do të zëvendësonte Mustën e larguar në linjën e majtë të prapavijës.

Atmosfera është pozitive pas triumfit 3-0 kundër Egnatias, megjithatë stafi teknik pret ende dhe dy dhurata. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë me të cilin u tha se një akord, por dhe një sulmues.

Gjithçka aktualisht është e ngrirë dhe shkak janë bërë financat. Edhe pse jo zyrtarisht, të njëjtat burime tregojnë se lojtarët janë me sytë nga drejtuesit për të marrë pagat e tyre. Ata kanë hyrë në muajin e tretë pa u paguar, por janë mjaftuar vetëm me bonuset e ndryshme.

Pritet të shihet se çdo do të ndodhë te 16 herë kampionët e vendit që pas largimit të Ilir Dajës nga drejtimi, synohen minimalisht Kupat e Europës./newsport/