Egnatia u rikthye në Superligë pas më shumë se 15 vite mungesë. Rrogozhinasit në fillim të kampionatit ishin një nga skuadrat që shprehu ambiciet për një vend në Europë sezonin e ardhshëm.

Kjo duke parë edhe disa emra të rëndësishëm që ishin afruar në merkato si: Telushi, Imeri, Krasiniqi, Shtubina e të tjerë. Por duket se skuadra u rikthye shpejt me këmbët në tokë.

Ekipi i drejtuar tashmë nga Zekerija Ramadani, sezonin e startoi me Gugash Maganin në stol. Por trajneri peqinas u largua për mungesë rezultatesh. Megjithatë pak gjë ka ndryshuar në rezultatet e skuadrës së Egnatias. Edhe fillimi i sezonit në vitin 2022, rrogozhinasit u mundën në shifrat 0-3 nga Partizani.

Kjo ishte humbja e 6-të në 7 ndeshjet e fundit për Egnatian. Duke përfshirë këtu edhe humbjen me Kukësin në shifrat 2-0 për ndeshjen e kupës së Shqipërisë. I vetmi sukses në këtë periudhë është fitorja në shifrat 1-2 përballë Teutës në ndeshjen e fundit të vitit të kaluar.

Skuadra po kalon momentin e saj më të dobët në këtë periudhë dhe në fundjavë do vizitojë Vllazninë. Një moment për tu shfrytëzuar ky nga kuqeblutë që nga ana e tyre kërkojnë me patjetër fitoren në shtëpi. Por që ekipi i drejtuar nga Brdariç nuk duhet të harrojë edhe ndalesën e fazës së parë pikërisht nga Egnatia në shifrat 0-0.
Endri ÇINARI