Astana gjatë kësaj jave ka qenë tërësisht e përqendruar te sfida me Partizanin dhe ka përgatitur çdo detaj të hollësishëm në funksion të kësaj beteje, duke lënë mënjanë edhe kampionatin. Në humbjen ndaj Kairatit kampionët kazakë aktivizuan lojtarët rezervë dhe titullarët i lanë në shtëpi për të pushuar.
Në kampin e kazakëve, në konferencë për mediat, krah trajnerit Grigori Babajan, ka folur edhe mbrojtësi, Aleksa Amanoviç, i cili pohoi se janë të gatshëm për ta kaluar me sukses misionin e shkuarjes në grupe. Ai shprehet se tashmë e njohin Partizanin dhe e dinë më mirë se çfarë i pret sot në “Elbasan Arena” në orën 20:00.
“Misioni ynë kryesor është që të kalojmë në grupe dhe normalisht do të japim maksimumin që të marrim rezultatin e duhur. Kemi luajtur me këtë skuadër në shtëpi dhe e dimë se çfarë presim dhe sesi të kundërpërgjigjemi.
Por duhet të përgatitemi pak më mirë për ndeshjen e radhës që të kalojmë më tej”, u shpreh mbrojtësi në konferencë për shtyp. Amanoviç është një nga lojtarët më të shtrenjtë të Astanës. Vlera e tij në merkato është 1 milionë euro, sipas portalit “Transfermarkt”. Edhe ai u la pushim ndaj Kairatit.