Skënderbeu mund t’i shpëtojë dënimit nga UEFA. Më saktë, korçarët mund të shpëtojnë duke mos u dënuar shumë ashpër, pasi kanë menduar një strategji shumë të mirë.

Portali Eduasportin.com mësoi mbrojtjen që do të bëjnë korçarët në gjyqin që po zhvillon UEFA. Një pikë mjaft interesante është se ata “pranojnë” trukimet në mënyrë të tërthortë, por fajin ua kanë hedhur lojtarëve.

Avokati i Skënderbeut, Gabriele Zuccheretti, në mbrojtjen e tij për klubin ngriti hipotezat se mund të ishin lojtarët që kishin trukuar ndeshjet.

Skënderbeu doli në një deklaratë ku “hidhej guri e fshihej dora”. “Përmes kësaj komunikate për shtyp, KF Skënderbeu sqaron opinionin publik sa i përket deklarimeve të bëra nga Avokati Zuccheretti gjatë seancës dëgjimore në CAS.

Ndër të tjera, mundësia e përfshirjes së lojtarëve në trukim ndeshjesh është ngritur thjeshtë si hipotezë nga ana e përfaqësuesit tonë në proces, jo si një akuzë.

Por si një formë për të evidentuar se në një proces disiplinor, shkeljet dhe shkelësit e disiplinës duhen individualizuar dhe mos të kryhet një proces populist ku të gjithë janë të fajshëm por asnjëri nuk është fajtor”, – kush arrin të lexojë dhe të kuptojë pa tifozllëk është i qartë me këtë deklaratë.

PLANI – Skënderbeu mori shembullin e ekipit italian të Atalantas në Itali. Fajin e trukimeve e morën përsipër lojtarë dhe klubi nuk u dënua. Korçarët kanë menduar të bëjnë të njëjtën gjë.

Klubi i Skënderbeut përzgjodhi dhe lojtarët që do të marrin përsipër fajin e trukimeve. Emrat e përzgjedhur janë Orges Shehi, Tefik Osmani dhe Marko Radas.

Të 3 janë në përfundim të karrierës, ndërsa është menduar dhe një shpërblim i majmë për ta. Në rast se dënimi konsiston me pezullim nga futbolli dhe me gjobë, autorësia e trukimeve do të merret nga 3 emrat e sipërpërmendur dhe janë dakord.

Një dyshim i madh është nëse lojtarët do të pranojnë trukimin në rast se bëhet fjalë dhe për dënim me burg.

Burime të Eduasportin.com pranë klubit korçar bënë të ditur mënyrën se si do të mbrohet Skënderbeu. Çështja është shumë e koklavitur, por në Korçë kanë njëfarë shprese se nuk do të dënohet klubi, por lojtarët.

Një tjetër burim, i pakonfirmuar, bën të ditur se vendimi i CAS-it pritet të dalë për 2 ditë. /EDS/