Nga Endri ÇINARI
Kampionati shqiptar i futbollit do jetë pushim në këtë fundjavë. Kjo si shkak i aktiviteti që do ketë kombëtarja shqiptare, që do luajë dy ndeshje miqësore kundër Kilit dhe Suedisë. Por kjo nuk i ka ndaluar aspak ekipet e elitës së futbollit tonë të vijojnë me përgatitjet. Një ndër to është edhe Vllaznia, ku kuqeblutë i janë rikthyer stërvitjeve të plota pas disa ditëve pushim.
Shkodranët duket se kanë lënë pas edhe humbjen e fundit me Kukësin në shifrat 2-0. Dhe fokusi duket se është totalisht tek java e ardhshme, ku kundërshtari i rradhës do jetë Erzeni. Me shijakasit që do jenë vizitorë në Shkodër në javën e 29-të të Superiores. Dhe ekipi i drejtuar nga Qatip Osmani para kësaj sfide duket më i plotë se kurrë.
Kjo sepse ndaj Erzenit nuk pritet asnjë mungesë e futbollistëve. Të pezulluarit nga kartonët si Krymi dhe Smajli që munguan ndaj Kukësit, rikthehen në shërbim të skuadrës. Dhe nga ana disiplinore, Vllaznia nuk ka asnjë mungesë për ndeshjen e rradhës. Po ashtu futbollistët shkodranë duket se gëzojnë edhe një formë të mirë fizike. Ku edhe portierët Qarri dhe Mehidri deri në fundjavën tjetër pritet të rikuperohen 100%.
Një fakt me të vërtetë pozitiv ky në këtë epilog të Superiores. Ku ndeshjet do vijnë e do pasojnë njëra-tjetrën shumë shpejt. Po ashtu Vllaznia përveç kampionatit, po luan edhe për trofeun e kupës. Dhe duke pasur gjithë futbollistët në formën e tyre optimale dhe të papezulluar, bën që skuadra të ketë alternativa të shumta për ndeshjet e rradhës./www.shkodrasport.com/